Banda e fëmijëve

Autor:Roberto Saviano ISBN: 978-99943-0-533-9 Kolana: Gjinia: Përktheu: Agim DoksaniNr. faqe: 312Viti i botimit: 2018 Çmimi: 1200 Lekë

Pandeh se më kall frikë një fëmijë si puna jote?

Mua për t’u bërë fëmijë m’u deshën dhjetë vjet, për të t’i bërë trutë përshesh më duhet vetëm një sekondë.

Dhjetë djelmosha me skutera kaluan si shigjetë në kah të kundërt të trafikut drejt sundimit të Napolit. Pesëmbëdhjetëvjeçarë me nofka lodracake – Marazhai, Peshku i Flashkët, Dhomçi, Lollipopi, Droni – këpucë firmato, familje normale dhe emrin e të dashurës tatuazh në lëkurë. Adoleshentë që s’kanë të ardhme dhe as që e besojnë atë. Nuk i druhen burgut as vdekjes, sepse e dinë që e vetmja mundësi është të luajnë gjithçka dhe menjëherë. E dinë që “paratë i ka ai që i merr”. Pra, o burra, drejt e mbi motorë për t’i marrë, paratë, por sidomos pushtetin.

“Banda e fëmijëve” rrëfen peripecitë e ngjitjes së një bande – një grupi zjarri të lidhur me Kamorrën – dhe kreut të tyre, djaloshit Nikolas Fiorilo. Të strukur çative të qytetit, mësojnë të qëllojnë me pistoleta gjysmautomatike dhe AK-47 duke marrë shënjestër paraboliket dhe antenat e zakonshme, pastaj derdhen rrugëve për të mbjellë tmerr në shalë të skuterave. Pak e nga pak shtien në dorë kontrollin e lagjeve, duke ua zhvatur bandave kundërshtare, duke lidhur aleanca me bosë të vjetër që po u perëndon ylli. Kjo bandë i përngjan barkës së peshkimit që vjen nga deti, ato lloj barkash që gjuajnë peshk duke i gënjyer me dritë. Dhe njëlloj si në peshkimin me tërheqje, rrjeta peshkon njerëz për t’u vrarë. Këtu rrëfehet për fëmijë që lëvrijnë gjallërisht si peshqit, për adoleshenca “të gënjyera nga drita” dhe për të vdekur që prodhojnë të vdekur.

Roberto Saviano hyn pa iu dridhur syri në realitetin që ngaherë e ka hetuar dhe kridhet në origjinalitetin e historive të përfytyruara me një roman të jashtëzakonshëm pafajësie dhe mujshie. Mizor, i dhunshëm, pa rrugëdalje.

Roberto Saviano (Napoli, 1979) është autor i bestsellerit ndërkombëtar Gomorra (Mondadori, 2006). Ideator, autor dhe skenarist i filmit me të njëjtin titull (Grand Prix du Jury në Kanë 2008) dhe i Gomorra – Seriali, i shpërndarë në më se 150 vende.

Me Feltrinelli-n ka botuar më 2011 “Eja me mua” dhe më 2013 “ZeroZeroZero”.

Nga viti 2006 jeton i shoqëruar, në masa të rrepta sigurie, pas kërcënimeve të marra prej klaneve që ka denoncuar.