Roberto Saviano: Gënjeshtra e rrjeteve sociale, detyra e ndershmërisë
Pyes veten shpesh se çfarë kuptimi ka të pasurit një komunitet, t’i drejtohesh komunitetit tënd, t’i flasësh komunitetit tënd, t’i besosh komunitetit tënd. Pyes sepse e di shumë mirë se të kesh një publik si pikë rëferimi (pra pikërisht një “community”), besnik dhe të pasionuar, është diçka e bukur. Por çfarë ndodh kur druhesh se ndoshta e mërzit komunitetin, kur objektivi nuk është më ai i të treguarit se çfarë mendon, por i të thënit të atyre gjërave që komuniteti do të dëgjojë?
Kush në mënyrë të dukshme dhe të vetëdijshme, kush në mënyrë tërësisht të pavetëdijshme, tashmë të gjithë arsyetojmë duke pasur si pikë referimi atë që ndodh në platformat sociale. Ndërveprimet virtuale janë bërë edhe më prezente në jetët tona qëkur shoqërizimi me mish e me kocka u ndërpre për shkak të pandemisë. Prej atij momenti, komuniteti i referimit u bë thuajse çdo gjë në rrjetet sociale. Kur shkruan një postim, regjistron një video, bën një lidhje direkte, është thelbësore të kuptosh se kujt i drejtohesh, kush lexon atë që shkruan, kush sheh dhe dëgjon videot që bën, por është po aq e rëndësishme të kuptosh se çfarë kërkon nga ty? Ndoshta jo. Ndoshta të imagjinosh se çfarë pret nga ty ai që po lexon e dëgjon fjalët e tua mund të jetë një thikë me dy tehe, mund të jetë një mënyrë për të varrosur një ëndërr që u takon shumëve – sigurisht që më takon mua – e cila është ajo për të bërë që të gjithë të flasin. Jo të lajkatosh, jo të sigurish, por të tregosh.
Aspirata ime më e madhe, kur fillova të shkruaja, kur mora ftesat e para në televizion dhe kërkesat e para për intervista, ishte të përpiqesha t’i bëja njerëzit të dëgjonin ato që duhej t’i thoja edhe për njerëzit që mendonin ndryshe nga unë. Doja dhe dua të arrij tek njerëzit që kanë shije letrare dhe muzikore të ndryshme nga të miat; njerëz që votojnë ndryshe nga unë, njerëz që kanë një botëkuptim tjetër nga imi. Dhe kjo nuk është për t’i “konvertuar”, për të provuar të ndryshoj mendimin e të tjerëve, por sepse gjithmonë kam qenë i interesuar të krijoj këtë osmozë midis botëve që në përgjithësi nuk flasin dhe që, në rastet më ekstreme, priren të përbuzin njëra-tjetrën. Gjithmonë kam dashur të afrohem me të vërtetën e tjetrit.
Me kalimin e kohës, kuptova që nëse keni aspiratën të flisni me të gjithë, bëhet problem për shumë njerëz. Pse keni tendencën të dilni nga fara, pse tregoni se ka diçka ndryshe nga përplasja; kur thonë “Saviano i ikën kundërshtarit” ata në të vërtetë po thonë “Saviano i ikën përballjes verbale”, gjë që është e vërtetë. Bëheni problem sepse i shpëtoni kategorizimeve – “Saviano është i majtë sepse flet për emigracionin dhe i djathtë sepse ka lexuar Pound dhe Evola” – dhe nëse i shpëtoni kategorizimeve, mund të qëllojë që të çorientoni edhe komunitetin tuaj, i cili duket se ka një fuqi të pamatë, fuqinë për të legjitimuar ose jo historinë tuaj. Fuqinë për të vendosur nëse mundeni apo nuk mundeni të trajtoni atë temë të veçantë në atë mënyrë të veçantë.
Pra, çfarë ndodh me punën e një shkrimtari dhe të një gazetari kur rrjetet sociale pushtojnë gjithçka, kur ato shkojnë përtej kufijve të tyre, kur komuniteti shoqëror që vlerëson, komenton, kritikon, gërryen, fyen përfundon duke pasur fuqinë për ta lëkundur metodën tuaj? Ndodh kjo: Duhet ta shkatërroni komunitetin, të rreshtni së konsideruari atë si një masë të paturpshme por të ndjeshme dhe për këtë arsye të aftë për të pasur kërkesa specifike, të ktheheni dhe të mendoni për individët që e kompozojnë atë, të imagjinoni emrat dhe fytyrat e tyre, tregimet dhe shtigjet e jetës dhe të rizbuloni dëshirën për të folur sikur po flisnit me secilin veç e veç.
Gjatë javëve të kaluara, kam dëgjuar shpesh deklarata për atë që po ndodh SHBA pas vrasjes së George Floyd. Kam dëgjuar histori interesante të prezantuara nga premisa si kjo: “Unë e di se nuk mund ta ndiej atë zemërim, por gjithsesi po bashkohem me historinë.” Kam menduar mbi këtë për një kohë të gjatë. A me të vërtetë mund të tregoni vetëm atë që përjetoni në vetën e parë? A duhet të justifikohemi vërtet që të kemi një ide rreth asaj që po ndodh dhe dëshirojmë ta shprehim atë? Nga se kemi frikë? Nga fakti që komuniteti ynë që përgjithësisht na përkrah nuk do të na ndjekë më? Këtë nuk e di, por ajo që di është se kur njerëzit për të cilët unë flas do të resht së konsideruari si një trup i vetëm, kam ndjesinë se do të mund të flas për gjithçka dhe gjithçka bëhet baza e një debati që do të na çojë në zbulime të çmuara.
*Roberto Saviano është shkrimtar dhe gazetar italian. Të gjithë librat e tij botohen në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Dudaj”. Ky artikull është shqipëruar nga Erjon Uka.