Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore

Autor:Paolo Rago ISBN: 978-99943-0-221-5 Kolana: Gjinia: , Nr. faqe: 276Përktheu: Agim DoksaniViti i botimit: 2011 Çmimi: 800 Lekë

Studimi i historisë dhe ngjarjeve të popullit shqiptar duhet të shihet si një gur i veçantë në mozaikun më të gjerë që përfaqëson Gadishulli i Ballkanit. Viktima, ndoshta më shumë se të tjerët, të kategorive interpretuese paragjykuese, shqiptarët janë përfytyruar dhe përshkruar përgjithësisht me një stil retorik me shije fantastiko-legjendare. Mbartës të disa veçorive, ndër të cilat mbase më e spikatura është bashkëjetesa që ekziston ndërmjet feve të ndryshme që gjenden në vend, ata kanë prodhuar konceptin më pak të njohur por po aq të rëndësishëm të shqiptarisë. Është kjo një formë “sui generis” e nacionalizmit, e bashkëlidhur me shpirtin e popullit shqiptar, për natyrën e tij i mbyllur ndaj ndikimeve të jashtme, auto-referenciale dhe i projektuar në brendësi të tij. Dukuri origjinale, e shkaktuar si reagim ndaj rreziqeve të jashtme –këto me siguri me karakter të mirëfilltë nacionalist– të kuptuarit e saj bën të mundur shqyrtimin më në thellësi të ngjarjeve të rëndësishme të periudhës rilindase të fundit të shekullit XIX, të viteve të monarkisë së mbretit Zog dhe suksesit të regjimit komunist, duke I vendosur të gjitha këto fenomene historike në kornizën e një ekuilibri të qëndrueshëm. Për t’i sqaruar më mirë këto periudha të historisë së vendit na është dukur e udhës të nxjerrim në pah elementet kulturore frymëzuese të veprimtarisë së patriotëve rilindas, duke i bashkëlidhur me mendimin romantiko-kombëtar të zhvilluar në vendet e tjera të rajonit. Po ashtu, analiza dhe interpretimi i shkaqeve të ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste shqiptare dhe udhëheqësit të saj, Enver Hoxha, ka kërkuar të hidhej dritë mbi marrëdhëniet e ngushta me përmbajtjet dhe vlerat më të thella të shprehura te kodet zakonore, ndër të cilat më i rëndësishmi është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Të lidhura me njëra-tjetrën nga fije të shumta të përbashkëta, këto aspekte të ndryshme të historisë kombëtare kanë çuar në ndërtimin, të kryer me disa faza, të miteve të shumta për forcimin e kompaktësisë kombëtare, në përpjekjet për modernizmin e vendit, në mungesën e dukshme të koherencës për të pajtuar komunizmin dhe nacionalizmin nëpërmjet kulturës tradicionale.