Video
“Kush jam unë dhe nëse po, sa shumë”, një libër jo vetëm filozofik
“Ky libër jo vetëm udhëzon lexuesin, por edhe mahnit…” – Der Spiegel
Çfarë është e vërteta? Nga e di unë se kush jam unë? Pse duhet të jem i mirë?
Libra mbi filozofinë ka shumë. Por libri i Richard David Precht-it, “Kush jam unë? Dhe nëse po, sa shumë?” është krejt i ndryshëm nga librat e tjerë të filozofisë. Askush më parë nuk ka mundur ta orientojë lexuesin drejt çështjeve të mëdha filozofike, plot dije të pasura, kompetencë dhe njëkohësisht në mënyrë kaq tërheqëse dhe elegante. Një rrugëtim i pakrahasueshëm në tërësinë e parrokshme të dijeve tona mbi njerëzimin. Duke e nisur me hulumtimin e trurit për të ecur më tej me psikologjinë dhe filozofinë, Precht-it na përcjell në këtë rrugëtim njohuritë më të fundit në këto fusha.
Si një mozaik përçohet kështu hap pas hapi një figurë e mahnitshme, pikërisht ajo që shkencat e ndryshme kanë krijuar sot mbi njeriun. Një rrugëtim zbulues drejt vetvetes: i zgjuar, plot humor dhe zbavitës!
“Argëtues dhe instruktiv… për çdo lexues.” – L’Est Républicain
Libri i Precht-it bën një prezantim të gjerë të fushave nga më të ndryshmet dhe është një ndihmë orientuese e pashembullt në tërësinë e parrokshme të dijes sonë njerëzore: një ftesë për të reflektuar këndshëm, si në një lojë – mbi aventurën jetë dhe mundësitë e saj!
Richard David Precht, filozof, publicist dhe autor, ka lindur në Solingen (Gjermani) në vitin 1964. Ai ka mbaruar doktoraturën në Universitetin e Köln-it në vitin 1994 dhe që prej asaj periudhe punon për thuajse të gjitha gazetat më të mëdha gjermane, si dhe stacione të ndryshme radio-televizive. Precht-i ka qenë bursist pranë “Chicago Tribune”. Në vitin 2000 ai u vlerësua me çmimin publicistik për biologjinë mjekësore. Ka shkruar dy romane dhe disa libra. Ai jeton në Köln dhe Luxemburg.