Kryeqyteti

Autor:Robert Menasse ISBN: 978-99943-0-804-0 Kolana: Gjinia: , , , Nr. faqe: 420Përktheu: Irena Nasi HitlViti i botimit: 2026 Çmimi: 1400 Lekë

Fenia Ksenopolou sapo është “promovuar” në Departamentin e Kulturës nga Drejtoria e Përgjithshme – pa buxhet, pa pushtet e pa reputacion. Kështu, “Projekti i Madh i Jubileut” vjen pikërisht në kohën e duhur për të: ajo duhet të rifreskojë imazhin e mërzitshëm të Komisionit Europian. Asistenti i saj personal austriak, Martin Susman, sugjeron shpalljen e Aushvicit si vendlindja e Komisionit Europian. Fenia entuziazmohet, por nuk ka marrë parasysh reagimet e vendeve të tjera europiane. Austria: një kamp polak nuk mund të përdoret për të vënë në dyshim kombin austriak. Polonia: Aushvici është një problem gjerman. Gjermania: Islami, tashmë pjesë e Gjermanisë, nuk ka pasur lidhje me Aushvicin. Për më tepër, Fenia nuk mund të mbështetet më te David de Vrind, një nga dëshmitarët e fundit të gjallë: ai gjendet në stacionin e metrosë Maalbeek në çastin e gabuar.

Inspektori Brunfaut është gjithashtu në një situatë të vështirë. Ai duhet të mos e “ngacmojë” një çështje vrasjeje të mbuluar në nivelet më të larta. Por qëllon që është mik me drejtuesit e informatikës së policisë së Brukselit, të cilët mund të hyjnë në dosjet sekrete të prokurorisë. Mateku, vrasësi polak me pagesë, nuk di gjë për këtë kur arratiset. Por ai e di se ka qëlluar personin e gabuar. Dhe kjo nuk është pak për të. Ai do të kish preferuar të shugurohej prift; fakti që ishte detyruar të ndiqte gjurmët e babait dhe gjyshit të tij si “ushtar i Krishtit” nuk e bën të lumtur. Dhe po, ka edhe të tjerë të pakënaqur: fermerët e derrave që dalin në rrugë me sfurqe për të protestuar kundër kufizimeve tregtare që pengojnë eksportin fitimprurës të veshëve të derrit drejt Kinës.

“Kryeqyteti sjell, përmes një fiksioni satirik brilant, një analizë të menduar të dobësive të BE-së që nxisin largimet dhe të forcave që motivojnë qëndrimin […] Lexuesit mund të mendojnë se një roman për BE-në është gjëja e fundit që u duhet tani; por nëse është kështu, do të humbasin një lexim të klasit të parë.” – The Guardian

“Menasse na ka dhënë një vepër ku identiteti kombëtar dhe përkatësia europiane nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato ndërthuren në atë që burokrati i pafat e konsideronte të paimagjinueshme: një roman tërheqës me një qëllim urgjent politik.” – Fintan O’Toole, New York Review of Books

“Një satirë argëtuese, e ashpër po dhe shumë aktuale për BE-në dhe kuptimin e Europës sot.” – Financial Times

“Një roman i shkruar me elegancë, i ndërtuar mjeshtërisht, shumë i mprehtë dhe reflektues.” – DIE ZEIT

“Në romanin “Kryeqyteti” Robert Menasse gjen ekuilibrin në një litar të ngushtë që shtrihet ndërmjet një romani policor dhe një romani shoqëror.”

Süddeutsche Zeitung

 

Robert Menasse, ka lindur në Vjenë në vitin 1954, ku edhe jeton si romancier dhe eseist.

Ai ka botuar në gjuhën shqipe romanin “Zgjerimi” (Botimet Dudaj). Romani “Kryeqyteti”, veç shumë çmimeve të tjera, u nderua edhe me Çmimin Europian të Letërsisë.