Gruaja që i arratisej lajmit të keq

Autor:David Grossman ISBN: 978-99943-0-237-6 Kolana: Gjinia: , , Nr. faqe: 568Përktheu: Taqo TrajçeViti i botimit: 2011 Çmimi: 1600 Lekë

Ora po bëhet gati të festojë lirimin nga shërbimi ushtarak të birit të saj, Oferit, kur ai kthehet sërish në front për një operacion të madh. Në një çast hidhërimi e krize mendore të pashpjegueshme, ajo niset për në Galile, pa u lënë asnjë njoftim paraprak “lajmëtarëve”, të cilët mund sjellin lajmin më të keq që mund të dëgjojë një nënë. E ndarë kohëve të fundit nga i shoqi, Ilani, ajo e bind ish-mikun e tyre më të mirë dhe të dashurin e saj të dikurshëm, Avramin, që ta shoqërojë. Dikur me një shpirt artisti të shkëlqyer, tani i tërhequr nga bota dhe i mbyllur në vetvete, Avrami kishte shërbyer bashkë me Ilanin në ushtri, deri sa fati i ndau dhe Avrami përfundoi në Egjipt gjatë Luftës së Kipurit, ku u torturua brutalisht si rob lufte.

Gjatë udhëtimit përmes bukurisë së zymtë të Galilesë, historia që Ora i tregon Avramit e mban të gjallë Oferin, ndërsa vetë Avramin e hap ndaj lidhjeve njerëzore të papritura në botën e tij të shkatërruar.

Kurrë nuk e kemi parë kaq qartë ose në mënyrë kaq therëse realitetin dhe surealitetin e jetës së përditshme në Izrael, rrymat e ambivalencës për luftën brenda një familjeje, barrën që bie vazhdimisht mbi çdo brez.

Imagjinata e pasur e Grossman-it për një familje në dashuri e krizë e bën këtë libër një nga romanet më të mëdha të kohës sonë kundër luftës.

David Grossman-i lindi në Jerusalem. Është autor i shumë veprave të letërsisë artistike, publicistike dhe për fëmijë. Vepra e tij është botuar në “The New Yorker” dhe është përkthyer në tridhjetë gjuhë të botës. Është fitues i çmimeve të shumta jo vetëm në Izrael, por edhe në Francë, Gjermani, Itali etj.

“Janë disa shkrimtarë në fjalët e të cilëve njeriu dallon ndërtimin e jetës. David Grossman-i është një shkrimtar i tillë. Ai është mjeshtër i të shkruarit emocionalisht, të saktë e domethënës. Personazhet e tij nuk gjenden aq shumë në faqet e librit se sa ngrihen para syve të lexuesit në tri përmasa, lëkura e tyre e mbuluar me prozë, që njëherësh sëmbon me depërtim dhe shkëlqen me dhembshuri.” – Yann Martel, autor i Jeta e Pi-së dhe Beatriçja & Virgjili

“Ky është një libër me fuqi e intensitet tronditës. Kryevepra e David Grossman-it. Floberi krijoi Emën e tij, Tolstoi bëri Anën e tij dhe tani kemi Oran e Grossman-it…[Gruaja që i arratisej lajmit të keq] një libër që të rrëmben, i bukur dhe i paharrueshëm.” – Paul Auster, autori i Invisible

“David Grossman-i shkruan me një çiltëri që nuk e njeh frikën, poetike dhe të fuqishme, sensuale dhe të zemëruar, pasionante dhe të butë. Ai shkruan jo vetëm për mbijetesën e tij, por edhe për tonën gjithashtu.” – Die Zeit (Gjermani)