Botime Dudaj

 

Kur jam i lirë?

Nga David Grossman

Jam i lirë kur nuk vuaj nga uria, nga i ftohti, nga mangësitë fizike dhe mendore. Jam i lirë kur nuk jam objekt diskriminimi dhe tallje. Jam i lirë kur më mundësohet  të rri me njerëzit e dashur pa asnjë kufizim. Jam i lirë kur nuk i druhem arbitraritetit të qenieve njerëzore. Jam i lirë kur e di se mund të jem i ndryshëm, i pangjashëm me të tjerët dhe madje jashtë të zakonshmes, por pa vuajtur “dënimin” për këtë fakt. Jam i lirë kur mund të shpreh mendimet dhe opinionet e mia dhe jo ato të të tjerëve. Jam i lirë kur mund të përshkruaj me fjalët e mia një situatë të caktuar pa ma ndaluar askush, ose pa më detyruar që të përdor terma dhe fraza që nuk më përkasin.

Secili mund të shtojë përkufizimet e tij të “lirisë”. Por nuk harroj për shembull se ndonjë mund të ndihet i lirë së brendshmi, pa plotësuar kushtet e përmendura më lart. Dhe e di se nuk do të jem i lirë për sa kohë që i mohoj dikujt tjetër, një individi a një populli të tërë, edhe vetëm një prej këtyre kushteve.

Teksa shkruaja këto radhë, tek unë lindi ndjesia se liria, në thelb, është pazgjidhshmërisht e lidhur me konceptin e “shpresës”. Sikur kjo fjalë, liria pra, të përmbajë në vetvete një folje që bie në të ardhmen, në lëvizje konstante drejt diçkaje, por edhe ndonjë premtim jo të përmbushur plotësisht akoma. Ndoshta sepse edhe në shoqëritë dhe në shtetet më të lira dhe më tolerante ka liri që duhet ende të përkufizohen, të fitohen dhe për të cilat duhet luftë e vazhdueshme. Ose ndoshta sepse progresi dhe evolucioni njerëzor krijon vazhdimisht forma të reja të kufizimeve të lirisë, por edhe forma të vërteta varësie.

Liria është e lidhur në thelb me shpresën dhe shpresa është e lidhur pazgjidhshmërisht me forcën e imagjinatës njerëzore, me aftësinë tonë për të konceptuar, me vitalitet të madh, situata që tejkalojnë ato në të cilat gjendemi, duke na lejuar kështu të çlirohemi nga kontrolli i tyre.

Presidenti gjerman Joachim Gauck e ka formuluar shumë mirë të gjithë këtë në librin e tij “Liri!” kur ka shkruar: “Në vendin ku kam kaluar jetën time, nuk ekzistonte liria përveçse në dëshira dhe në mendime”. Me këto fjalë të thjeshta ka shprehur rolin e shpresës dhe të imagjinatës në vrullin drejt lirisë, si edhe të asaj ndjenje të çlirimit të brendshëm, thelbësore në aftësinë për të shpresuar, për t’u kapur pas shpresës, edhe kur dikush shtypet nga një regjim zhvlerësues. Edhe kush nuk e ka përjetuar vetë një situatë të ngjashme mund të imagjinojë se sa e vështirë është të ruash ndonjë kapacitet të brendshëm, të rrjedhshëm dhe kreativ, kur shpirti është i tkurrur nga frika dhe kontakti me realitetin. Nuk është e vështirë të kuptohet se si, në mendjet e viktimave të tiranisë dhe të frikës, bllokohen “kanalet e brendshme” në të cilat rrjedh gjaku i njeriut.

Shpresa dhe imagjinata njerëzore zotërojnë cilësi të çuditshme: qartësisht përqëndrohen jashtë njeriut dhe të tashmes, në një dimension të ardhshëm të mundësive ende të pashfrytëzuara. Por në mënyrë që të shtypurit të çlirohen nga zinxhirët, ata duhet falë imagjinatës së tyre, të mbajnë idenë e gjallë dhe dinamike të lirisë që aspirojnë. Me fjalë të tjera, shpresa është fryt i një ushtrimi mendor dhe, në një kuptim të caktuar, mund të konsiderohet si një veprim krijues, pasi pikturon në sytë e atyre që janë të nënshtruar, ose të një shoqërie të nënshtruar, një pamje të një jete të gjallë e të pasur, e ndryshme nga ajo në të cilën është burgosur.

Dhe gjithashtu mund të thuhet se shpresa është një lloj spirancë e cila, nga një ekzistencë e nënshtruar dhe e dëshpëruar, hidhet në një realitet që ende nuk ekziston, i përbërë kryesisht nga aspirata intime. Dhe ky akt i “hedhjes” së një spirance në të ardhmen, aftësia për ta bërë këtë, është tashmë një mënyrë për të përcaktuar hapësirën ??e lirë në shpirtin e atyre që guxojnë të shpresojnë.

Është interesante që një njeri, ose një shoqëri e tërë, të hedhë larg, në të ardhmen, një ëndërr ose një vizion, që duke nisur nga ai moment, ajo ëndërr ose ai vizion të veprojë mbi atë që i ka konceptuar si një magnet i fuqishëm duke i tërhequr drejt vetes.

Shpresa e të qenit të lirë ekziston përkundër gjithçkaje, përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, shpesh kundër realitetit të fakteve. Shpresa nuk është një iluzion i zbrazët, megjithëse në dukje pak shanse ka të përmbushet plotësisht, madje as kur skllavërimi në një mijë format e tij është i plotë.

Në një klimë të përgjithshme dëshpërimi, kur forca e vullnetit të shumicës po dëbësohet, ata që nuk dorëzohen, por janë të përkushtuar për të përmbushur aspiratat e tyre, vazhdojnë të ruajnë thellësisht një cep të lirisë që askush nuk do të jetë në gjendje ta uzurpojë, ta infektojë ose vjedhë, dhe falë të cilave ata janë të vetëdijshëm se si duhet, ose se si mund të shëmbëllejë një jetë e lirë. Dhe sa ia vlen të luftosh për të. Kjo vetëdije është mbase leva e Arkimedit me të cilën këta njerëz fillojnë të shkatërrojnë një realitet shtypës ose një regjim tiranik dhe të prodhojnë ndryshime.

Vetëm gjatë shkrimit të këtyre rreshtave kuptova se kur mendoj për paqen, në të vërtetë mendoj për lirinë. Për lirinë nga frika, nga dëshpërimi (i cili është bërë një konstante në jetë), nga ndjenja e shtypjes e natyrshme në një ekzistencë të kaluar mes luftës dhe urrejtjes.

*Pjesë nga libri “Të qëllosh një pëllumb”. David Grossman është ndër shkrimtarët më të suksesshëm izraelitë, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës. Nuk ka shkruar vetëm romane, por edhe libra për fëmijë, poezi dhe opera. Në vitin 2017 ka fituar Man Booker International Prize dhe në vitin 2018 çmimin e Izraelit në letërsi. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.

Na shkruani