KOLANA
- Geraint Parry0
- Novelë grafike4
- Të tjerë-non fiction3
- Autorë Shqiptarë162
- Biografi & Kujtime19
- Letërsi Bashkëkohore Amerikane48
- Letërsi Europiane201
- Letërsi Hispanoamerikane20
- Letërsi për fëmijë dhe të rinj43
- Poezi35
- Shkrimtarë Nobelistë17
- Studime dhe Publicistikë53
- Të tjerë31
- Botime Universitare11
- Botime Shkollore22
- 20
Beteja për 20 përqindëshin
Debati shqiptaro-grek mbi praninë ose jo të pakicës greke në Bashkinë Himarë dhe Bashkinë Konispol është debat ekstremesh: pala greke pretendon se në to, pjesa dërrmuese e ortodoksëve janë grekë dhe pala shqiptare pretendon se numri i minoritarëve është i papërfillshëm. Në këtë studim do të trajtohet fluiditeti i identitetit etnik që ekziston në tri fshatra të Bashkisë Himarë dhe popullsinë vllahe të Bashkisë Konispol, duke analizuar edhe se sa është maksimumi dhe minimumi i individëve që vetidentifikohen si grekë. Po ashtu, do të shohim edhe nëse ka pasur rritje artificiale të numrit të personave të vetëdeklaruar si grekë, e nëse po, sa dhe si kanë ndikuar në këtë aspekt politikat shtetërore të Greqisë apo grupet e veçanta të interesit.
Është studimi më i plotë deri më sot për çështjen delikate të identitetit etnik në Himarë dhe Konispol, ku përplasjet politike mes shtetit grek dhe atij shqiptar kanë qenë një provë force, që u rishfaq me hapjen e Shqipërisë ndaj botës në fillim të viteve 1990. Autori Ardit Bido, tashmë i stërvitur në rrjedhat e turbullta të historisë politike të Kishës Ortodokse Shqiptare, na jep një tablo shteruese të zhvillimeve që kanë çuar në paqartësitë e sotme rreth identitetit etnik në këto dy bashki.
Ilir Ikonomi
Studiues, Uashington DC (SHBA)
Studimi i Ardit Bidos përbën pa dyshim një kontribut të vyer, pasi shqyrton jo vetëm pasaktësitë e shumta që mbushin literaturën historiografike dhe shtypin e përditshëm, por hedh dritë mbi një realitet që në të vërtetë është shumë më i ndërlikuar se ç’paraqitet nga përshkrimet sempliciste që gëlojnë sot kudo. Si rezultat i këtij studimi na shpaloset para syve një pasqyrë shumë më autentike, e natyrisht, edhe më e besueshme, e gjendjes aktuale ndëretnike në këto treva të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë. Dy janë shtyllat ku mbështetet analiza e Bidos: nga njëra anë, përdorimi rreptësisht shkencor i metodologjive dinamike të cilat zbatohen sot në kërkimet sociologjike rreth entiteteve që përgjithësisht përmblidhen me termin “etni”; nga ana tjetër, shtënia në punë e të dhënave statistikore rreth shpërndarjes hapësinore dhe peshës sasiore të anëtarëve të të dy etnive, shqiptare dhe greke.
Mateo Mandala, Akademik
Profesor i Albanologjisë, Universiteti i Palermos (Itali)
Ky studim ndjek zgjidhje të reja për vështirësitë e vjetra. Ai thellohet në dinamikën e identitetit etnik në tre fshatra të Himarës dhe të minoritetit vllah. Përtej përcaktimeve konvencionale të statusit të pakicës siç paraqitet nga qeveria greke dhe ajo shqiptare, studimi ngre shqetësime thelbësore që lidhen me fushën e drejtësisë tranzicionale postkomuniste. Veçanërisht, ai nënvizon ndërthurjen e ndërlikuar të çështjeve që lidhen me statusin e pakicës fetare brenda këtij konteksti.
Ines Angeli Murzaku, PhD
Profesore e Feve, Universiteti Seton Holl (SHBA)
I pari studim me të vërtetë serioz mbi “obsesionin” e shtetit grek me pakicën etnike greke: një “obsesion” që u ringjall fuqishëm pas Luftës së Ftohtë kur shqiptarët dhe grekët u “takuan” sërish në kushtet e një pabarazie të skajshme: Greqia si “e fituar” e historisë dhe Shqipëria si një shtet katërcipërisht i dështuar dhe i shkretuar nga regjimi komunist. Që atëherë dhe deri më sot ky “obsesion” – në mënyrë paradoksale i vetmi element që i ka mbijetuar Idesë së Madhe (Megali Idea) të shekullit të nëntëmbëdhjetë – i bën marrëdhëniet mes dy vendeve t’i ngjajnë vazhdimisht një kardiograme të çakërdisur.
Gazmend Kapllani
Profesor i Studimeve Shqiptare, Universiteti i Çikagos (SHBA)
Ardit Bido është profesor i asociuar në marrëdhënie ndërkombëtare, me fushë të ngushtë studimi raportin mes politikës, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe fesë
e pakicave. Ai ka mbrojtur gradën «Doktor i Shkencave» në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, lëmë në të cilën ka kryer edhe studimet Master. Ciklin e parë të shkollës së lartë e ka përfunduar për Gazetari në të njëjtin universitet. Krahas dhjetëra studimeve të botuara në revista shkencore e kumtesave të mbajtura në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ai është autor i monografisë “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1945)”, botuar në serinë më të aklamuar në fushën akademike për raportin fe-politikë, nga shtëpia botuese “Routledge”.
Ardit Bido ka një përvojë disavjeçare në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive, si dhe ka menaxhuar departamentet e komunikimit të disa institucioneve akademike, shtetërore dhe private. Prej vitit 2012, është pedagog pranë Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Metropolitan Tirana. Ai ka pasur angazhime publike dhe komunitare, duke përfshirë drejtimin e disa organizatave rinore, pjesëmarrjen në borde drejtuese universitare e kërkimore dhe zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Njësisë nr. 9 në Tiranë. Prej vitit 2016, mban detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave.