Shkrimtarja Susanna Tamaro rrëfen për herë të parë sëmundjen e jetës
Shkrimtarja italiane thyen heshtjen dhe tregon për sëmundjen e saj të Aspergerit, në librin e ri me titull “Shikimi yt ndriçon botën”. “Vuaj nga sindroma e Aspergerit. Është kjo karrigia ime e padukshme me rrota, burgu në të cilin jetoj që prej sa mbaj mend. Do vdesësh vetëm si një qen!”, bërtiste herë pas here mamaja, e irrituar nga sjellja ime. E shkreta nënë, pas një burri të poshtër dhe të dytit psikopat e të alkoolizuar, i ra për pjesë edhe një vajzë që ishte si një kasafortë të cilës nuk i dihet kodi për ta hapur. Para se të vdiste më dhuroi një kutizë druri me një zemër të gdhendur përsipër. Kur e hapa, gjeta një letër të shkruar me dorën e saj: “Të dua shumë, edhe pse kurrë nuk të kuptova”, shkruan ajo.
Çdo mëngjes brenda meje është një tavolinë e rregulluar. Gjithçka ndodhet në vendin e duhur, në fillim pjata, pastaj gota, buka, qumështi dhe në mes të tavolinës një broke me ujë, ndoshta pranë saj edhe një vazo e vogël me lule. Por papritur, dikush e tërheq dhunshëm dhe gjithçka bie në tokë duke u shndërruar në një grumbull qelqi dhe metali.
Mjafton një zhurmë e vogël, një ndodhi e papritur dhe brenda meje shpërthen rrëmuja. Dhe me rrëmujën edhe dëshpërimi. Përplas kokën pas muri. “Nuk kuptoj më asgjë!”, përsëris duke bërtitur. Gjithçka brenda meje bëhet errësirë, e nuk di nga t?ia filloj për t’i vënë gjërat sërish në rregull.
Jetoj në një botë që është vetëm e imja dhe kjo botë ka ligje që askush tjetër nuk mund t?i kuptojë. Kur isha fëmijë, çrregullime të tilla nuk njiheshin. Në rastin më të mirë konsiderohesha si një vajzë e çuditshme, e burgosur në turpin tim patologjik. Nuk flija, nuk flisja, nuk i shihja kurrë të tjerët në sy.
Gjërat që lumturonin fëmijët e tjerë, mua më linin indiferente. Ngjarje krejt të parëndësishme për fëmijët e tjerë, mua më shkaktonin vuajtje të brendshme. Kapriçot e mia ishin metafizike, pa objekte. Rrëzohesha në mes të rrugës dhe mamaja ime detyrohej të më tërhiqte për krahu. Bëhesha rozë, e kuq, damarët më fryheshin e dukej sikur do të shpërthenin. Bërtisja me sa kisha në kokë e ngelesha pa frymë, pushtohesha nga zemërimi pa shkak. Pas këtyre krizave, vinte një kohë e gjatë qetësie. Pikërisht koha e duhur për të rregulluar sërish tavolinën.
“Do vdesësh vetëm si një qen!”, bërtiste herë pas here mamaja ime, e irrituar nga sjellja ime. E shkreta nënë, pas një burri të poshtër dhe të dytit psikopat e të alkoolizuar, i ra për pjesë edhe një vajzë që ishte si një kasafortë të cilës nuk i dihet kodi për ta hapur.
Para se të vdiste më dhuroi një kutizë druri me një zemër të gdhendur përsipër. Kur e hapa, gjeta një letër të shkruar me dorën e saj: “Të dua shumë, edhe pse kurrë nuk të kuptova”.
Gjithë jetën kam luftuar kundër kompleksitetit të shqetësimeve të mia, kundër pengesave që më bëhen barrë çdo ditë. Për dekada me radhë fajësova veten se nuk arrija të isha si të tjerët, se nuk përballesha dot me gjëra që për të tjerët ishin normale. Kam pasur një aftësi të thellë medituese, por kurrë nuk e kuptova se ku ishte pika e thyerjes. Isha tërësisht e vetëdijshme për të gjitha traumat e fëmijërisë sime, por prapë se prapë nuk arrija të gjeja dritën e duhur për të ndriçuar çrregullimet e mia.
Rreth moshës tridhjetë vjeçare, e shtyrë nga miqtë, shkova madje te një psikanalist. Them ?madje? sepse nga ana ekonomike nuk e përballoja dot. Zgjodha më të mirin, folëm për një orë e më pas më tha: “Për mua do të ishte e mrekullueshme të bëja analizën tënde, por nuk ke nevojë. Kthjelltësia jote është absolute. Nuk mund t’i heq kohën e çmuar pacientëve të tjerë që kanë nevojë.” Ky ishte paradoksi i madh, i tmerrshëm. Jam një njeri i ekuilibruar, e detyruar të jetoj me një tjetër që nuk është aspak i tillë.
Rreth të dyzetave, çrregullimet u përkeqësuan e kështu nisa të përpëlitem mes neurologëve. Disa probleme vinin për shkak të një traume të rëndë gjatë fëmijërisë, po të tjerat?
Bëja pyetje që askush nuk u përgjigjej. Përse më çmendnin zhurmat? Përse më frikësojnë fytyrat? Përse terrorizohem nga gjërat e papritura? Përse kam frikë nga sjellja ime? Përse nuk kuptoj atë që të tjerët duan nga unë? Përse gjithmonë jam ndjerë si një insekt i bllokuar në një gyp qelqi? Përse koha për mua rrjedh ndryshe nga ajo e njerëzve të tjerë?
Përgjigja nuk mund të gjendet nga psikologjia. Nuk jam fobike, nuk jam ankthioze, nuk jam e depresionuar, nuk jam obsesive, por ama të gjitha këto gjendje alternohen rregullisht brenda meje. Duke qenë se kam një karakter të fortë dhe të qëndrueshëm, arrij shpesh herë të fitoj, por rezultati i kësaj beteje të heshtur është një gjendje e vazhdueshme lodhjeje. “Po si ka mundësi? Që tani je e lodhur? Për kaq pak?”, ka qenë lajtmotivi irritues i gjithkujt që më rrinte pranë. Tani mund ta them. Ndjej një lodhje thuajse vdekatare. Gjashtëdhjetë vjet trillim pa qenë aktore.
Gjestet normale të njerëzve, ato që bëhen thuajse në mënyrë të pavetëdijshme, për mua janë Evereste të vegjël të përditshëm. Fitore të lodhshme, që arrihen të gjitha në qetësi të plotë: të shkosh në restorant, të takosh njerëz të rinj në fushën profesionale, të bësh apo të marrësh telefonata, të flesh në hotel në një dhomë të panjohur, të marrësh trenin plot me njerëz, të përballesh me orë burgu në avion.
Një ditë, një neurologe më tha: “Jeni instinktivisht e shëndetshme sa keni gjetur vetë ekuilibrin e nevojshëm për të jetuar”.
Por çfarë më lejon t’i mbijetoj brishtësisë së ditëve të mia? Gjithçka që është e kufizuar, e përsëritur, e qëndrueshme. Të gjitha botët ku çdo gjë që ndodh është e qartë, pa mundësi keqkuptimi. Jeta mes dhomës sime dhe kopshtit, mes studios dhe druve frutorë. Jeta mes kafshëve ? Qenie të pafajshme me të cilat është e pamundur të mos merresh vesh dhe me ata pak njerëz që më pranojnë si jam.
Kam pasur fatin edhe të ndërtoj gjithçka që gjendet rreth meje, të krijoj përmasat e nevojshme për të jetuar. Gjatë viteve që kisha një punë normale, e ndjeja vdekjen pranë. Çdo mëngjes zgjohesha e dëshpëruar dhe fundjavat e kaloja e mbyllur në dhomë me dhimbje të tmerrshme koke.
Njerëzit me këtë sindromë jetojnë të zhytur në një sinqeritet të lindur. Nuk janë në gjendje të imagjinojnë të keqen brenda njerëzve me të cilët kanë marrëdhënie, nuk i kuptojnë qëllimet e tyre dhe kjo na bën viktima natyrale të çdo dashakeqësie, të çdo sadisti e të çdo perversi.
Pjesë nga libri i ri i Susanna Tamaros me titull “Shikimi yt ndriçon botën”, që do të jetë në libraritë italiane nga 20 shtatori i këtij viti. Shtëpia Botuese “Dudaj” ka botuar dy libra të saj shkrimtareje, me titull: “Jashtë!” dhe “Përgjithmonë”.
Kjo pjesë u shqipërua nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al