Botime Dudaj

 

Jemi njerëz apo qenie dixhitale? Bashkëbisedimi mes shkrimtarëve McEwan dhe Alessandro Baricco

“Le të marrim dy personazhe, një grua dhe një burrë. Një çift të dashuruar. Të dy kanë celularë dhe secili ka një aplikacion që i lejon të dijë se ku është tjetri. Kjo është dashuri apo mungesë besimi?”

Hotelet gjithmonë kanë qenë vende ku është shkruar historia, ku janë bërë marrëveshje e traktate, ku janë ndezur e ku janë shuar luftëra. Por në hotelin Gombit të Bergamos është zhvilluar një takim krejt ndryshe, mes dy shkrimtarëve të famshëm europianë: italianit Alessandro Baricco dhe anglezit Ian McEwan.

Ajo që i ka bashkuar ka qenë libri i fundit i Barricos, “The Game”, një libër për transformimin dixhital që po sjell teknologjia në jetën e njeriut.

  • Le t’ia nisim nga fillimi. Më shumë se sa revolucion, thotë Baricco, bëhet fjalë për një kryengritje dixhitale.

Alessandro Baricco: Po, kryengritja evokon një reagim të fortë, të dhunshëm, me inat. Në origjinë të civilizimit dixhital është rebelimi i viteve ’70 dhe kundërkulturës kaliforniane. Ata pionerë, ndër të cilët Stewart Brand, donin të ndryshonin gjithçka. Edhe pse nuk kishin një model se si duhej të bëhej bota, e kishin të qartë se cilës botë donin t’i iknin.

Ian McEwan: Sandro, kam përshtypjen se e ke vënë shumë mirë në dritë humusin prej nga nisi gjithçka, pra kulturën libertariane që predikon për rikthimin e jetës në fshat, e që njëkohësisht dashuron teknologjinë. Këto dy shpirtra bashkëjetojnë me të njëjtat ndjenja, që janë larg kulturës evropiane por edhe larg asaj kulture të nëndheshme.

  • Një tezë e fortë e librit është se këta baballarët themelues po arratiseshin nga nëntëqinda: nga fiksimi për kufijtë, nga nacionalizmat, nga racizmit.

McEwan: Kjo vlen më shumë për europianët, që përjetuan nën lëkurë totalitarizmat dhe dy luftëra botërore. Në Shtetet e Bashkuara arkitektët e kryengritjes dixhitale reaguan ndaj sistemit të pushtetit nëpërmjet mekanizmit të kulturës së konsumit, me argëtimin e pafund, me jetën artificiale në periferi të Amerikës urbane. Themeluesit e uebit reaguan ndaj gjithë kësaj, duke e zhvilluar protestën e tyre me një shpirt krejtësisht teknologjik. Nuk besoj se Brand ishte i vetëdijshëm për atë që do të bënte, por me siguri kërkonte tejkalimin e gardhit.

Baricco: Armiku i parë prej nga po iknin pionerët e internetit ishte “american way of life”. Sigurisht që nuk mund t’i atribuojmë Steve Jobsit apo Brandit një mendim të kthjellët, por në të njëjtën kohë do të ishte e gabuar të thoshim se nuk e donin revolucionin. Kristofor Kolombi dhe Da Vinci nuk kishin një ide të saktë mbi atë që po bënin, megjithatë arritën të ndryshonin botën.

  • Por tani duhet të kuptojmë nëse ndërlidhja e internetit është me të vërtetë siguria jonë ndaj maktheve të nëntëqindës. Sot në perëndim po shohim një rritje të mureve dhe gardheve në kufij, me nacionalistët kundër refugjatëve. Një valë e zezë e ushqyer nga interneti.

Baricco: Mua më duket sikur po fiksohemi në mënyrë idiote në dy vitet e fundit të jetës politike, duke injoruar dekadat paraardhëse ku kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Është si të fitosh një ndeshje 4-1: përse duhet të ndalemi të shohim vetëm golin e pësuar në minutat e fundit të ndeshjes, duke injoruar fitoren spektakolare?

McEwan: Unë duhet të rrëfej ankthin tim për këto kërcënime. Në mars Anglia do të jetë jashtë Europës. Ata që votuan për Brexit ishin mbi të gjitha të rinjtë: në mënyrë paradoksale janë ata që duan të ndërtojnë mure dhe barriera. Është i habitshëm fakti se në një çast të caktuar e morën si të mirëqenë paqen në Euorpë. Sot është e vështirë të kuptohet se në cilin drejtim po shkojmë. Me shumë mundësi lufta e ardhshme do të jetë me Rusinë, që ka si objektiv prishjen e Bashkimit Europian. A jemi në gjendje të rezistojmë? Mua më duket sikur rusët janë në gjendje ta luajnë lojën.

Baricco: Mënyra e vetme për të fituar sfidën kundër përdorimit pervers të internetit është të përdoren energji të reja morale dhe intelektuale: në këtë sens, kontributi i kulturës evropiane është thelbësor. Nuk mund të lëmë në timon vetëm inxhinierët dhe biznesmenët amerikanë…

McEwan: Do të thuash se mund të ndërtojmë një humanizëm dixhital?

Baricco: Atë duhet të bëjmë, por fatkeqësisht pjesa më e madhe e botës intelektuale evropiane po e shpërdoron kohën në një betejë të humbur.

  • Meqë ra fjala te rezistenca e intelektualëve ndaj internetit, McEwan si e zbuluat botën dixhitale? Si ishte reagimi i parë?

McEwan: I shpifur. Në vitin 1983 mora një letër nga Apple që më propozonte word procesor, programin e shkrimit në kompjuter. Këta janë të çmendur mendova. E lidha direkt këtë emër me ushqimin e përpunuar, me një frulator që grin gjithçka. Mendoja se s?do më hynte në punë për asgjë. Mund të them se isha edhe pak i acaruar. Por nëntë muaj më vonë, më vizitoi një regjisor i ri italian i cili hapi nën sytë e mi dhjetë metra kabull duke lidhur tastierën me televizorin. Kështu nisa të shkruaj në mënyrë të çuditshme, me fjalët që merrnin formë në ekran. Pas tetë ditësh transkripti ishte gati. Kur i riu filloi të hiqte tastierën, fillova duke u qurravitur: të lutem, mos ma merr. Si mund të punoj? Në atë moment m’u desh ta haja turpin me bukë e t’i shkruaja Apple: Dua një kompjuter! Bashkimi mes njeriut dhe makinës është kryer në mënyrë perfekte dhe kjo do të çojë në ndryshimin e natyrës njerëzore. Jemi mësuar të mendojmë sipas formateve dixhitale dhe mendja jonë po përshtatet me këtë botë paralele. Hapi tjetër, nëpërmjet një mikroçipi në tru, do të jetë ai i të lundruarit në internet me mendim. Në atë pikë, revolucioni për të cilin flet Sandro do të jetë kryer, por jo pa pasoja për letërsinë.

  • Kemi një paradoks: skeptiku McEwan shkruan në romanet e tij ndryshimin dixhital që entuziasti Baricco e injoron…

McEwan: Kam një pyetje për Sandron. Le të marrim dy personazhe, një grua dhe një burrë. Një çift të dashuruar. Të dy kanë celularë dhe secili ka një aplikacion që i lejon të dijë se ku është tjetri. Kjo është dashuri apo mungesë besimi?

Baricco: Mund të të përgjigjem kështu: ndodh ndonjëherë, rrallë, që përmes Google Maps i dhuroj dikujt tetë orë nga vendndodhja ime. I dërgoj me Whatsapp se ku jam dhe ai mund ta shoh. E bëj për dashuri. Jo, nuk mendoj se e kam bërë ndonjëherë me gruan time, por me një njeri që nuk është mirë: ja, jam këtu, mund të mbështetesh gjithmonë tek unë.

McEwan: Hëm, një fjalë angleze thotë: “…me trupin tim do të të nderoj”, të cilën mund ta ndryshojmë: “me smartphonin tim do të të jem gjithmonë besnike”. Por pyetjen nëse bëhet fjalë për dashuri apo mosbesim ta drejtova duke menduar për shkrimtarët e tetëqindës: fillimisht Tolstoji, Flaubert apo Maupassant: mendo nëse do t?i thoshim se ekziston një pajisje që na tregon gjatë gjithë kohës së ku ndodhet e dashura. Besoj se do të kishin plotë gjëra për të thënë…

  • Sipas jush, ajo e shkrimtarëve mbetet e vetmja elitë që nuk është shtypur akoma nga interneti?

Baricco: Po, njerëzit nuk janë budallenj. Edhe pse zgjatën nëpër makineri, duan të ruajnë thelbin e tyre njerëzor. Nuk kemi jetuar kurrë në një civilizim makinerish si ky i sotmi dhe kemi nevojë më shumë se kurrë për të ngrënë në mënyrë biologjike. Kështu siç kemi nevojë të bëjmë yoga, të ecim në pyje apo të dëgjojmë muzikë të mirë. Në këtë gjë shkrimtarët janë garancia që njerëzit të rrinë njerëz.

McEwan: Pasi një makinë e IBM-së mundi Kasparovin, nuk kemi reshtur së luajturi shah. Unë sapo kam shkruar një roman mbi inteligjencën artificiale. Kur mjeshtri u mund nga kompjuteri, tha: “gara me kuaj nuk e ka fshirë kurrë përpjekjen e njeriut për të vrapuar në këmbë akoma më shpejt.” Asgjë, asnjë shpikje teknologjike, nuk mund të vrasë atletikën. Ndoshta mbrojtja dhe shpresa jonë është që në kënaqësinë dhe kuriozitetin që kemi gjithmonë ka diçka njerëzore.

 

Alessandro Baricco është shkrimtar, skenarist dhe kritik italian. Libri i tij i fundit “The Game” i dedikohet revolucionit social dhe mendor që ka shkaktuar teknologjia dhe aktualisht është ndër librat më të shitur në Itali. Ian McEwan është shkrimtar anglez që jeton në Oxford, fitues i çmimit “Man Booker Prize”. Në shqip librat e Alessandro Baricco-s janë botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.

Ky bashkëbisedim u përshtat në shqip nga Erjon Uka për “Blogu i rërës?” në Tiranapost.al