Të gjallë dhe të vdekur

Autor:Nasi Lera ISBN: 978-99943-0-317-5 Kolana: Nr. faqe: 368Viti i botimit: 2013 Çmimi: 1000 Lekë

“Romani më i fundit i shkrimtarit Nasi Lera, “Të gjallë dhe të vdekur”, përmban gjithçka që duhet të ketë një roman, po të kemi parasysh kriteret për romanet e autorëve më të shquar: të vërtetën, të bukurën, tronditësen, qartësinë dhe shijen e mirë të asaj që kritika anglosaksone e quan natural storyteller.

Romani të trondit me natyrshmërinë e vet paradoksale; është tragjik, edhe pse i shkruar poetikisht; me skena makabre, por pa e humbur besimin te njeriu; nostalgjik, ndonëse ngjarjet janë ato të më të fundit, që shpeshherë i lexojmë në gazetat e ditës. Dy muaj pasi e pata lexuar romanin e Nasi Lerës, në kanalet televizive raportohej për ngjarjet për të cilat flet ai. Oskar Uajlldi pat paralajmëruar se, ashtu si arti imiton jetën, po ashtu edhe jeta imiton artin e vërtetë. Jeta shqiptare ka për t’i imituar kokëfortësisht, për një kohë të gjatë, sidomos librat si romani i Nasi Lerës, që flasin përmes imagjinatës dhe kujtesës, për zhgënjimin dhe brutalitetin, për neverinë ndaj politikës dhe politikanëve, për absurdin e dramave ballkanike dhe për butësinë e përhershme të shpirtit njerëzor.

“Të gjallë dhe të vdekur” është ndër romanet më të bukur dhe më seriozë që kam lexuar deri më sot. Dramaciteti që mbart ai është i natyrshëm e, kësisoj, i besueshëm. Mbyllja e romanit sjell një fllad besimi dhe mirësie, por njeriu i mirë shqiptar jeton përballë një force të papërballueshme të së keqes, e cila do të shkatërrojë çdo gjë, Njeriun dhe Natyrën, kafshët dhe peizazhet, madje do të përdhunojë edhe vetë vdekjen dhe të vdekurit. Pohimi i njërit prej personazheve se “të gjithë e ndiejmë veten të dënuar duke qenë të lirë të shkojmë ku të duam”, është edhe piktura më e hidhur, por dhe më e vërtetë e realitetit të sotëm.”

Rudolf Marku