Studioja në katin e parë

Autor:Fatmira Aliaj ISBN: 978-99943-0-76-0 Kolana: Gjinia: , , Nr. faqe: 191Viti i botimit: 2025 Çmimi: 1000 Lekë

Dashuri në kohë të errët, dashuri e thellë, e vërtetë, por e pafat. Dy personazhe që na rikthejnë në periudhën e rëndë të regjimit të kaluar, sfond që shërben për analiza të thella psikologjike, absurdi që kundërshton logjikën, fataliteti, i cili, edhe kur mund të ketë dritë në fund të tunelit, e pengon atë.
Romani i fundit i Fatmira Aliajt, Studioja në katin e parë, vazhdon dhe pasuron krijimtarinë e autores me karaktere të skalitur me mjeshtëri, me një tablo realiste dhe rrënqethëse të shoqërisë së kohës, me forcë ndjenjash, me detaje që plotësojnë ngrehinën letrare të këtij romani, i cili, deri në fund dëshmon për një aftësi të veçantë të njohjes së shpirtit njerëzor dhe mënyrave të pafundme që ai zotëron për të përballuar rrethanat dhe gjendjet e papritura që i sjell jeta. Nga ana tjetër, Fatmira Aliaj, falë pikërisht kësaj njohjeje dhe të realizmit me të cilin e përshkruan në përgjithësi jetën njerëzore, na jep pamje të shumëfishta e të papritura të saj.
Lexuesi, me këtë roman, merr në dorë jo vetëm një libër të bukur mbi dashurinë, të realizuar apo jo, kjo nuk është më e rëndësishmja, por edhe një dritë përsëri të ndezur mbi nevojën e kujtesës dhe jo të harrimit për çfarë i ka ndodhur shoqërisë shqiptare në një nga periudhat e saj më të vështira.
Diana Çuli

Fatmira Aliaj lindi në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në fakultetin Histori-Filologji. Krijimet e para janë disa vjersha dhe tregime të shkurtra. Më vonë iu kushtua gjinisë së dramës dhe letërsisë për fëmijë. Ka botuar për fëmijë:»Enoja dhe Pisokja», «Diana e vogël», pjesën teatrale «Një natë e gjatë» dhe novelën «Albani dhe qenushi Xhud». Ka botuar dramat «E fejuara ime», «Kthesa» dhe «Faji. «Më pas vëllimin «Betiana» ku përfshihen 3 drama «Primavera e Bethovenit», «Një vit i vështirë» dhe «Betiana». Këto vite dramën : «Vallëzimi i fundit». Ka botuar edhe novelat: «Stina e humbur», «Rekuiem për ty» si dhe romanet: «Shpirti i humbur», «Dyzet letra dashurie».