Regëtimat e dritës së mëngjesit

Autor:Fabio Volo ISBN: 978-99943-0-264-2 Kolana: Nr. faqe: 260Përktheu: Adrian BeshajViti i botimit: 2012 Çmimi: 1000 Lekë

“Vazhdoj dhe ia përsëris vetes se gjithçka shkon mirë. Po pse më dridhen duart, atëherë?”

Elena nuk është e kënaqur me jetën e saj. Martesa tërhiqet zvarrë, pa pasion dhe pa asgjë të re. Tashmë i shoqi i është bërë si vëlla.(“Nuk jetojmë bashkë, bashkë ne vrasim kohën. Menduam si budallenj se dy fatkeqësi të bashkuara mund t’i jepnin jetë një lumturie.”) E kishte vendosur që më parë se si duhej të ishte jeta e saj: shkolla që duhej të bënte, universiteti, burri me të cilin duhej të martohej… deri edhe ngjyra e divanit. U bë bashkëshorte para se të bëhej femër.

Por vjen një çast dhe e ndien se diçka po fillon të kërcasë. Në jetën e saj të përditshme shfaqen pasioni dhe dëshira. Elena kupton se është e mundur edhe një tjetër mënyrë jetese. Ndoshta ajo meriton më shumë. Mjafton vetëm të gjejë kurajën e ta provojë, mbase edhe të gabojë. “Për vite të tëra kam pritur që jeta ime të ndryshonte, por tani e di se ishte jeta që po priste të ndryshoja unë.”

Me këtë roman të ri, Fabio Volo-ja konfirmon dhe nxjerr në pah cilësitë që e kanë bërë aq të dashur për miliona lexues. “Regëtimat e dritës së mëngjesit” është një libër i sinqertë dhe i fortë, që i përballon ndjenjat pa marifete apo perifraza dhe që na vë ballë për ballë me emocionet tona të vërteta.