Në shpirtin tim bën ftohtë

Autor:Brunilda Zllami ISBN: 978-99943-0-162-1 Kolana: Nr. faqe: 356Viti i botimit: 2010 Çmimi: 900 Lekë
Një trishtim i madh ndihet brenda faqeve të këtij libri. Trishtim që buron nga jetë të paplotësuara, ëndrra të copëtuara, rini të këputur… Dhe nëse mund të ceket një ekuilibër i brishtë?- kjo është një nga pyetjet që parashtron për zgjidhje shkrimtarja Brunilda Zllami.
E burgosur e dashurisë së një njeriu që e kishte pranë prej aq shumë vjetësh, sa i dukej sikur kishte zënë rrënjë në qenien e saj. Me Rubenin ajo arrinte të shikonte pak nga ai qiell që s’mund ta prekte dot, jetonte pak nga ajo jetë që s’mund ta ndërtonte dot, ishte e lirë në lirinë e tij, merrte jetë në jetën e tij. Ndihej tjetërkush kur ishte me të, a thua se në shpirtin e saj jetonin dy persona të ndryshëm. Një që ishte i aftë të dashuronte e të jepej me shpirt pas një burri, tjetra e ftohtë, mekanike, e llogaritur. Nuk e kishte vënë re më parë dhimbjen që i shkaktonte pasja e dy shpirtrave kontradiktorë që talleshin e përqeshnin njëri-tjetrin. Sikur mos të kishte qenë Rubeni as do ta kishte vënë re këtë të dytin. Do të ishte ajo Joana, e akullt dhe e përpiktë në venat e të cilës nuk qarkullon i njëjti gjak i njerëzve normalë. Kishte nevojë për Rubenin. Pa të, në shpirtin e saj bënte ftohtë, shumë ftohtë.