Mbreti i kaosit

Autor:Mihal Kalia ISBN: 978-99943-0-313-7 Kolana: Gjinia: Nr. faqe: 460Viti i botimit: 2013 Çmimi: 900 Lekë

Të kërkosh largimin e Berishës  nga posti më i lartë i shtetit, nuk do të thotë të provokosh luftë civile. Të kërkosh largimin e Berishës, nuk do të thotë t’i rrëmbesh pushtetin PD-ës. Berisha nuk është PD-ja. Ai është kanceri i saj. Metastazat e tij  Partia Demokratike po i ndien dhimbshëm, por, në vend që të hiqet pjesa e sëmurë prej saj, po hiqet pjesa më e shëndoshë.

Kryeministri është shëmbëllim i së kaluarës së largët, ardhur në ditët  tona nëpërmjet  përthyerjeve të shumta të pësuara gjatë kohëve, prej të cilit nuk mund të pritej tjetër veçse një deformim i përsiatjeve të tij me karakter shoqëror. Ai nuk mund ta konceptojë veten të papushtetshëm; është lidhur ngushtë me të, sa shkëputja do t’i kushtonte shpërbërje, ndaj dhe ai nuk mund të mendonte humbjen në zgjedhjet, të cilën do ta shmangte me çdo lloj mjeti të paligjshëm, si e vetmja rrugë që i kish mbetur në odisenë e tij pushtetare, duke shpërbërë e nëpërkëmbur demokracinë.

Mbreti i kaosit, me sigurinë e parashikimit të magjistricave, me këmbët duke shkelur flakët e ferrit e me duart shtrirë drejt parajsës, pëshpërit  si thirrje profecie “Sustine et Abstine” (Qëndro, mos u dorëzo!).

Populli kërkon shtet. Kërkon demokraci. Prandaj proteston kundër arrogancës, varfërisë, papunësisë, kundër hajdutëve e kriminelëve që zgërdhihen se vrasin njerëz të pafajshëm.

Demokracia nuk është arenë kuajsh  e fushë buburrecash, por është arenë e shpërthimeve të vrullshme, e lirisë së mendimit dhe veprimit që çojnë përpara zhvillimin, duke projektuar  fizionominë e së ardhmes.

Kryeministri është njeriu i imazheve të rreme. I ndodhur në krye të qeverisë, me mundësi të shumta abuzimi   dhe përfitimi për vete dhe për grupin e tij, ai ka krijuar një parajsë, ku gjen dhe u gëzohet mrekullive të jetës. Ai lumturohet pranë së Bukurës së Dheut, pranë zanave të bjeshkëve dhe nimfave që dalin burimesh me vezullime stërkalash, që e bëjnë të përvdiret prej rrëzëllimit shigjetues lëshuar prej harkut të mbretëreshës së mrekullive e bukurive të rruzullit, që ka zgjedhur për ekzaltim kopshtin e lulëzuar, punuar e mbjellë me aq dëshirë e përkushtim në hapësirat e pafund  të fantazisë se tij të shfrenuar.