Kaini

Autor:José Saramago ISBN: 978-99943-0-256-7 Kolana: Nr. faqe: 144Përktheu: Nasi LeraViti i botimit: 2012 Çmimi: 750 Lekë

Njëzet vjet pas “Ungjilli sipas Jezu Krishtit”, José Saramago i kthehet përsëri trajtimit të fesë me një prozë të përsosur për nga stili dhe për nga ironia. Në qoftë se në të kaluarën fituesi i çmimit Nobel (1998) dha versionin e tij të Dhiatës së Re, tani vihet përballë Dhiatës së Vjetër. Dhe për ta bërë këtë, zgjedh personazhin më negativ, personifikimin biblik të së keqes, të atij që vrau vëllanë e vet: Kainin. Duke përmbysur vlerësimin tradicional, Saramagoja na e jep Kainin si një qenie njerëzore as më i mirë dhe as më i keq se të tjerët. Përkundrazi, Zoti është një Zot i lig, i padrejtë dhe smirëzi, që nuk e di çfarë do dhe, mbi të gjitha, nuk i do njerëzit. Është një Zot që nuk pranon, vetëm nga trilli dhe mospërfillja, mblatën e Kainit, duke shkaktuar kështu vrasjen e Abelit. I dëbuar dhe i dënuar me një jetë endacake, Kaini niset drejt aventurës në hapësirën dhe kohën biblike. Dashnor i Lilithit të panginjur, ai herë është dëshmitar e herë protagonist i ngjarjeve kundër të cilave ngre krye. Ai ndal krahun e Abrahamit, kur do që të vrasë të birin, Isakun, sheh i tmerruar fëmijët që vdesin në flakët që përfshijnë Sodomën, sheh shembjen e Kullës së Babelit, merr pjesë në zemërimin e Moisiut, i cili shkon në shpatë vetë popullin e tij, vështron masakrat e Jerikos, përpiqet të zbusë vuajtjet e Jobit të gjorë dhe, në fund, kur hipën në Arkën e Noes, merr një vendim të prerë, që u jep fund bëmave të tepruara të Zotit inatçor, mizor dhe të shthurur, ku me një mjeshtëri të përsosur, autori e ndryshon rrënjësisht rrjedhën e historisë njerëzore.

Romani “Kaini” është vepra më e madhe e shkrimtarit, pjekuria e të cilit ndoshta nuk është shpalosur kurrë kaq e lirë, kaq e kthjellët dhe kaq e mprehtë sa në këtë vepër. Romani “Kaini” tregon luftën mijëravjeçare midis njeriut dhe Zotit, midis krijuesit dhe krijesës së tij.