Video
Roberto Saviano: Gënjeshtra e rrjeteve sociale, detyra e ndershmërisë
Tetë kapituj, tetë histori, një portret unik të Italisë së sotme të nënshkruar nga autori i bestseller-it ndërkombëtar Gomorra. Roberto Saviano gërmon brenda disave prej plagëve të vjetra dhe të reja që brengosin Italinë: njohja e munguar e vlerës së Bashkimit kombëtar, mekanizmi i pabesë i makinës së baltës, ekspansioni i kriminalitetit të organizuar në Veri, emergjenca e pafund e plehrave në Napoli, tragjeditë e shumta të paralajmëruara. Pranë denoncimit është edhe rrëfimi – i mallëngjyer dhe i admiruar – i jetëve të jetuara me ndershmëri dhe kurajë: sfida pa armë e don Giacomo Panizza-s ndaj ‘ndrangheta-s kalabreze, lufta e Piergiorgio Welby-t në emër të jetës dhe të së drejtës, mbrojtja e Kushtetutës nga Piero Calamandrei. Shembuj mbi të cilët mund të mbështetemi ende për t’u ringritur dhe për të ndërtuar një Itali të ndryshme.
I ideuar dhe i drejtuar nga Roberto Saviano dhe Fabio Fazio, Eja me mua qe ngjarja televizive e vitit, më e ndjekur se ndeshjet e Champions League-s dhe se reality show-t. Tani “Eja me mua” është një libër që i bën sërish të arritshme për publikun këto histori në një formë të rishikuar dhe të pasuruar gjerësisht. Duke i shndërruar, edhe një herë, në histori të të gjithëve.
Roberto Saviano ka lindur në Napoli në 1979-ën. Eshtë autor i bestseller-it ndërkombëtar Gomorra (Mondadori 2006), që u përkthye në më shumë se pesëdhjetë Vende dhe shiti dhjetë milionë kopje në Itali dhe në botë. Nga libri janë nxjerrë një shfaqje teatrore që fitoi çmim në Olimpiadën e Teatrit 2008 dhe filmi me të njëjtin titull, që fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Kanës 2008. Ka botuar gjithashtu Bukuria dhe ferri (Mondadori 2009), dhe Fjala kundër kamorrës (Einaudi 2010). Në Itali bashkëpunon me “La Repubblica”-n dhe “L’Espresso”-n, në Shtetet e Bashkuara me “Washington Post”-in dhe “New York Times”-in, në Spanjë me “El Pais”-in, në Gjermani me “Die Ziet”-in, në Suedi me “Expressen”-in dhe “Dagens Nyheter”-in, në Angli me “The Times”-in.
Për veprimtarinë e tij si autor dhe për angazhimin qytetar, i janë dhënë Çmimi Viareggio ‘Opera prima”, Çmimi Kombëtar Enzo Biagi, Geschwister-Scholl Preis, Çmimi për Gazetarinë i Lajpcigut, Çmimi Manuel Vazquez Montalban, European Book Prize-i, David di Donatello-ja dhe Shiriti i Argjendtë për skenarin e filmit Gomorra.
Që nga tetori i 2006-ës jeton i shoqëruar nga shpura pas kërcënimeve të marra nga klanet që denoncoi. Në 2008-ën mori solidaritetin e disa çmimeve Nobel dhe në nëntorin e të njëjtin vit u ftua në Suedi për të mbajtur një fjalim mbi lirinë e shprehjes në Akademinë e Nobelëve.