Dielli në mërgim

Autor:Ani Wilms ISBN: 978-99943-0-775-3 Kolana: Gjinia: , Nr. faqe: 536Viti i botimit: 2025 Çmimi: 1500 Lekë

«Asnjë viktimë e vetme ndër hebrenjtë në Shqipëri! Do të besoja në engjëjt mbrojtës, sikur të mos e dija se ishin gra e burra nëpër qytete e fshatra, që i mbrojtën hebrenjtë ditë pas dite, muaj pas muaji, duke vënë në rrezik jetën e tyre, familjet e pasurinë e tyre».
Ani Wilms është një shkrimtare e specializuar në romanin historik. Te “Dielli në mërgim” ajo ka pasqyruar një periudhë kyçe të historisë së Shqipërisë: Luftën e Dytë Botërore dhe vitet menjëherë pas saj, nisur nga perspektiva e një djaloshi hebre, Josef Jakoelit. Bazuar në ngjarje të vërteta, romani ofron një dëshmi të pasur të jetës së hebrenjve dhe një portret shumëdimensional të Shqipërisë në ato vite vendimtare; njëkohësisht hedh dritë mbi një fenomen historik unik – mbijetesën e hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës.
«- Kur hebrenjtë arritën në Shqipëri nga malet e nga përrenjtë, ishin të dërrmuar e të tmerruar, – vazhdoi doktori. – E vetmja gjë që ua kishte mbajtur shpirtin gjallë ishte një gojëdhënë, sipas së cilës, kushdo që kapërcen kufirin dhe ia del të hyjë në Shqipëri, është i shpëtuar. Për çudinë e tyre gojëdhëna doli e vërtetë».
Ani Wilms lindi në vitin 1971 në Tiranë dhe u rrit në qytetin bregdetar të Durrësit, studioi Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës dhe pas vitit 1994 në Universitetin e Lirë të Berlinit.
Ka botuar romanet “Pritje të bukura”, me temë epokën e tranzicionit në Shqipëri, dhe “Vrasje në rrugën e veriut”, mbi vrasjen e dy amerikanëve në Mamurras në 1924. Bazuar në hulumtime intensive historike dhe përkthyer në gjermanisht nga vetë autorja, romani  “Vrasje në rrugën e veriut” u botua në vitin 2012 në Berlin. Në vitin 2013 u nderua me Çmimin “Adelbert-von-Chamisso” dhe “Stuttgarter Krimipreis”.