KOLANA
Adami dhe Evelina
Në verën e vitit 1989, të rinjtë e Gjermanisë Lindore mbanin frymën pezull përtej Murit të Berlinit që ndante më dysh gjermanët vetë, me shpresa jo dhe shumë të ndryshme nga ato të rinisë shqiptare në vitet ‘90-‘91. “Adami dhe Evelina” – romani i shkrimtarit gjerman Ingo Schulze, dikur gazetar në Republikën Demokratike Gjermane, rrëfen historinë e Adamit, rrobaqepësit nga provinca e RDGJ-së që ndjek të dashurën, Evelinën, deri në liqenin Balaton në Hungari për të shpëtuar lidhjen e tyre. Me pak gjëra me vete e shumë shpresa, protagonistët udhëtojnë pas hapjes së kufirit dhe arrijnë më në fund në Bavari. Romani, i përkthyer deri tani në 20 gjuhë të botës, është shkruar kryesisht në formën e dialogut dhe pasqyron në mënyrë mbresëlënëse shpresat e rinisë së RDGJ-së të asaj periudhe.