KOLANA
- Geraint Parry0
- Novelë grafike4
- Të tjerë-non fiction3
- Autorë Shqiptarë163
- Biografi & Kujtime19
- Letërsi Bashkëkohore Amerikane48
- Letërsi Europiane205
- Letërsi Hispanoamerikane20
- Letërsi për fëmijë dhe të rinj43
- Poezi36
- Shkrimtarë Nobelistë18
- Studime dhe Publicistikë53
- Të tjerë31
- Botime Universitare11
- Botime Shkollore22
20
66 rrëfimet e Maks Gjerazit
Autokritika
Ministrit të Bletarisë, Xhezair B., pasi i tërhoqën veshin në Plenum për një gabim të rëndë të natyrës ideologjike në dikasterin që drejtonte, i kërkuan edhe që të ulej e të përgatiste autokritikën për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Shtetit.
Për fat të keq, Diktatorit i pat qëndruar rëndë omëleta që kish ngrënë për mëngjes para kësaj mbledhjeje të shumëpritur, prandaj edhe mbeti i pakënaqur me autokritikën e ministrit dhe i kërkoi këtij, me ashpërsi konstruktive, që të thellohej përsëri në gabimet e veta dhe ta paraqiste autokritikën të ripunuar ditën e nesërme.
Ministri Xhezair u mbyll në zyrën e vet dhe nuk doli që andej veçse ndaj të gdhirë, kur arriti ta rishkruajë autokritikën fund e krye, në pajtim me vërejtjet që i kishte bërë Diktatori.
Seanca e dytë e mbledhjes së Këshillit të Shtetit filloi me dëgjimin e kësaj autokritike të ripunuar, që sipas proces¬verbalit që gjendet në arkivin e Këshillit të Shtetit, mbante titullin “Mbi disa gabime të rënda ideologjike në punën me bletarinë.” Diktatori e dëgjoi Xhezairin me vëmendje dhe duke mbajtur shënimet e duhura; pastaj, në përfundim të leximit, e pyeti ministrin nëse kishte ndonjë gjë për të shtuar, me ç’rast Xhezairi u gëlltit dhe pastaj falënderoi shokët për vëmendjen, ndihmën e pakursyer dhe besimin proletar që kishin treguar ndaj tij.
Jo, tha Diktatori. Autokritikës së ministrit të Bletarisë, që tingëllonte e plotë dhe marksiste në vetvete, i mungonte pikërisht reflektimi i autorit për dobësitë e versionit të saj të parë; meqë shpesh shkaqet e gabimeve në detyrë kuptohen më mirë duke analizuar mangësitë në justifikimet e sjella.