Botime Dudaj

 

Javier Cercas: Mashtruesi është mes nesh

Një gënjeshtar që rishpik vetveten, një komb që e beson, një historian që e zbulon dhe një shkrimtar që e tregon. “Mashtruesi” i Javier Cercas nuk është një roman i mirëfilltë, por nuk është as biografi, as ditar i dilemave të një shkrimtari dhe as analizë psikologjike e një mediopati. “Mashtruesi” i ka të gjitha këto, duke qenë një roman jo-roman, një roman pa trill sepse trillin e ka bërë në të vërtetë personazhi i tij kryesor.

Javier Cercas tregon historinë Enrik Markos, mashtruesit që për dekada e shiti veten si i mbijetuar i holokaustit, duke u kthyer në një hero të kujtesës kolektive katalanase dhe spanjolle. Ishte sindikalist, kryetar i Konfederatës Kombëtare të Punës, merrte çmime e jepte intervista, deri sa një ditë gjithçka u zbulua. Në vitin 2005, kur Marko ishte 84 vjeç, e gjithë bota mësoi se ai ishte një mashtrues.

Nuk ishte një viktimë e holokaustit. Nuk ka vuajtur në asnjë kamp përqendrimi dhe nuk ka pësuar asnjë torturë naziste në lëkurën e vet. Ai shkoi në Kil, në veriperëndim të Gjermanisë, i kontraktuar nga një ndërmarrje gjermane në kuadër të marrëveshjes mes Gjermanisë dhe Spanjës, me qëllim që Franko t’i kthente Hitlerit borxhin që i kishte nga lufta civile dhe ta ndihmonte për të fituar luftën. Dhe Marko pranoi vetë, me qëllim që t’i shmangej shërbimit ushtarak në Spanjë. Kaq e thjeshtë. Kaq e kollajshme.

Enrik Marko përfaqëson narcistin mediopat, gënjeshtarin mjeshtëror që nuk shet vetëm gënjeshtra, por zbaton me përpikëri parimin që gënjeshtrat e mëdha duhen shitur me të vërteta të vogla. Njerëz si Enrik Marko janë gjithmonë në anën e duhur të historisë: shmangu shërbimin ushtarak në Spanjë, mbërriti në Gjermani kur Gjermania po e fitonte luftën dhe iku prej saj kur po e humbte; gjatë diktaturës frankiste qëndroi në heshtje dhe punoi për më se 30 vjet në një ofiçinë, por sapo sistemi po lëkundej rishpiku veten me fantazi të shfrenuar për t’u larguar nga realiteti i turpshëm dhe mediokër ku kishte vegjetuar për dekada, për t’i ikur shumicës dërrmuese, të heshtur dhe frikacake dhe për t’u bërë përfaqësuesi i një grupi, pjesë e të cilit nuk kishte qenë kurrë. Krijoi një tjetër “Enrik Marko” në kohën e tranzicionit, pikërisht në çastin kur Spanja po riformonte veten duke kaluar nga diktatura në demokraci.

E kjo është edhe historia e Shqipërisë, ku ndryshimet e mëdha sjellin përmbysjen e elitave duke krijuar një mish-mash ku xhelatët u bënë heronj e viktimat u harruan. Ku kush më shumë e kush më pak rishpiku veten, mori merita që s’i ka pasur, filloi të ëndërronte me sy hapur e të tregonte përralla se si ishte ndeshur me diktaturën, ku mashtruesi nuk dallohej më nga i përvuajturi.

Sot Enrik Marko është 97 vjeç. Jeton i qetë me familjen e tij, e cila mes të vërtetës dhe Markos, zgjedh këtë të fundit. Por çfarë është Enrik Marko? Çfarë sollën gënjeshtrat e tij? A ishin ato kaq skandaloze, apo në fund të fundit i bënë më shumë jehonë krimeve naziste dhe torturave në kampet e përqendrimit, megjithëse të treguara nga një njeri që nuk ia kishte hequr kurrë në lëkurën e vet? Nëse quajmë Markon mashtrues, a duhet t’i quajmë kështu edhe shkrimtarët që trillojnë bazuar në subjekte historike? “Dallimi ndërmjet Cercas dhe Markos është se romancieri ka licencë për të gënjyer”, shkruhet te “Mashtruesi”.

Gjithkush është i lirë të zgjedhë anën e tij, ta anatemojë apo të qëndrojë në kahun e gënjeshtrës “së bardhë”. Sepse siç thoshte Niçja, njerëzit nuk mund të durojnë një dozë të madhe realiteti dhe shpeshherë e vërteta është e keqe për jetët tona. Prandaj ai lavdëronte gënjeshtrat e mëdha që pohojnë jetën dhe urrente etikën tonë meskine.

Na shkruani