Javier Cercas: Duhet të jesh i mençur të mësosh nga historia
Mund të jem duke e lënë veten të më marrë rryma e optimizimit tim të çmendur, por kam përshtypjen se përgjigjja europiane ndaj krizës së koronavirusit është më e mirë sesa përgjigjja ndaj krizës financiare të vitit 2008. E vërtetë që reagimi fillestar ishte i tmerrshëm: një sprapsje nacionaliste e mishëruar në përgjigjen e Christine Lagarde pas pyetjes se ç’mund të bënte Banka Qendrore Europiane nëse kostoja e financimit të qeverive do të rritej për shkak të ngadalësimit të ekonomisë nga kriza. “Nuk jemi këtu për të reduktuar primet e riskut”, deklaroi. “Nuk është ky funksioni i BQE-së”. Pra: të shpëtojë kush të mundet. Por që atëherë gjërat kanë ndryshuar dhe tani që unë shkruaj këto rreshta, institucionet europiane, me Bankën Qendrore Europiane në krye, kanë alokuar më shumë se 3 triliardë euro për të ndalur grushtin e Covid-19, në kushte më parë kurrë të imagjinuara. Do të shohim se si do të shpenzohen këto para, por fakti që në Spanjë do të përdoren për të paguar minimumin jetik të nevojshëm, tregon që së paku jetojmë në një shoqëri lehtësisht më pak të padrejtë. Një lajm i mirë ishte edhe që asnjë nuk i kushtoi vëmendje vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjermane e cila kërkonte të korrigjonte një gjykatë superiore, atë të Drejtësisë Europiane, e cila kishte mbështetur marrjen e borxhit të BQE. Ky refuzim hap rrugën drejt bashkimit të borxhit, i cili është dera që çon drejt një Europe federale, i vetmi projekt politik i aftë të ruajë harmoninë, prosperitetin dhe demokracinë në kontinent dhe të na lejojë të pikturojmë diçka në botë. Thënë kjo, pse reagimi ndaj kësaj krize ka qenë më i mirë se ai i vitit 2008? Si çdo pyetje e ndërlikuar, ka shumë përgjigje. Guxoj të jap njërën.
Në vazhdën e krizës së vitit 2008 u lodha duke cituar një frazë të Bernard Shaw, sipas së cilës “e vetmja gjë që mëson nga përvoja, është se përvoja nuk të mëson gjë”. Sarkazma evokon ose rishkruan një tjetër nga Hegeli (“E vetmja gjë që mësojmë nga historia është se nga historia nuk mësojmë gjë”), që tani duket shumë e saktë, sepse duket qartë se është më e lehtë të mësojmë nga eksperienca sesa nga historia, duke u dënuar nga koka jonë dhe jo nga koka e dikujt tjetër. Le të kujtojmë për shembull atë që ka ndodhur në Spanjën e pas tranzicionit. Atëmot shumë spanjollë kishin ende të freskët eksperiencën e drejtpërdrejtë të luftës, kështu që e dinin në vetën e parë se një paqe mediokre është shumë herë më e mirë se një luftë e mirë. Sot, nga ana tjetër, shumë njerëz duken se janë më krenarë për një konflikt që shkaktoi mbi gjysmë milioni të vdekur dhe 40 vite diktaturë sesa një tranzicion, i cili megjithëse nuk ishte paqësor, shkaktoi më pak të vdekur dhe gjeneroi një demokraci, një shëndet të paçmuar mendor që pjesërisht shpjegohet me faktin se ka gjithmonë e më pak dëshmitarë të atij shkatërrimi dhe sepse një aliazh mendjelehtësie, injorance historike dhe karrierizmi politik ka imponuar një vizion vizatimor të luftës dhe tranzicionit. Ajo që dua të them është se pikërisht si politikanët e tranzicionit kanë mësuar nga përvoja e tyre e luftës, politikanët e sotëm mund të kenë mësuar nga përvoja e tyre e krizës së vitit 2008, ku disa prej tyre e kanë përjetuar në rresht të parë. Duke qenë se ne vitin 2008 kriza më e fundit europiane e një kalibri të ngjashëm i përkiste vitit 1929, politikanët nuk mund të mësonin askund tjetër përveçse nga historia dhe treguan se nuk kishin mësuar asgjë: prova është se përsëritën pjesën më të madhe të gabimeve të viteve ’30, e mëgjithëse rezultati nuk ishte si në vitet ’30, pra ngritja dhe konsolidimi i përgjithshëm i fashizmit dhe një luftë botërore, u arrit ngritja dhe konsolidimi i populizmit kombëtar – si një version postmodern i fashizmit – dhe një shkatërrim i përgjithshëm që gati sa nuk e çmontoi BE-në.
Mund të mos jetë e njëjta gjë tani, them unë, dhe jo domosdoshmërisht sepse politikanët tanë të tanishëm janë më të mirë se ata të vitit 2008, por sepse Hegeli është më i suksesshëm se Bernard Shaw: duhet të jesh i mençur të mësosh nga historia, ndërsa nga përvoja mund të mësojë edhe kërcui më i dobët. Ose e gjitha kjo ndikohet nga optimizmi im, që do të përfundojë duke më vrarë.
*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i 12 romaneve, në shqip është përkthyer “Mashtruesi” nga botimet “Dudaj”.
Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.