Botime Dudaj

 

Javier Marías: Më falni për skepticizmin

Kushtet aktuale janë të ndryshueshme, dhe është më mirë të saktësoj ditën kur shkruaj, pra jam më 29 mars, pas dy javësh izolim. Si shumë, shoh dhe lexoj lajmet me pikatore, duke evituar kanalet massive të komunikimit, pra shumicën. Dëgjoj dhe shoh opinione, për të vërejtur nëse dikush mendon diçka interesante, të ndjeshme ose jo sipërfaqësore, megjithëse thellësia e mendimit gjendet më kollaj në kohë të qeta sesa në periudha të turbullta. Mes bisedave dhe temave boshe që në mënyrë të pashmangshme penetrojnë ngado, ka një frazë që përsëritet pafundësisht, që e përmbledhur është si vijon: “Shpresoj që të dalim më të mirë nga kjo.”

Nuk dua të jem ogur i zi, por më vjen keq që jam skeptik dhe nuk jam dakord me këtë shpresë. Kur pandemia të kalojë, pas një periudhe shumë të shkurtër zie dhe përtëritje të shpirtrave, gëzimi do të jetë kaq i madh sa do të na shpjerë me shpejtësi drejt zakoneve të vjetra.

Të mbijetuarit (shpresoj të jemi të gjithë) në fillim do ta kujtojnë këtë episod si një parantezë të bezdisshme dhe funebre. Më vonë, si një pengesë të madhe që i bëri të humbnin para dhe disa muaj nga veprimtaritë dhe udhëtimet e tyre. E kështu shumë gjëra do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme për një arsye të thjeshtë: as trishtimi, as shqetësimi, as vuajtja, as frika, nuk na bëjnë më inteligjentë, as më modeste, ose më pak mendjemëdhenj apo lakmitarë. Ndoshta po, në disa çaste e në pak raste, më solidarë dhe të dhembshur. Por me keqardhje këmbëngul, vetëm në disa raste.

Nëse i kushtojmë vëmendje reagimeve gjatë kësaj krize të koronavirusit, kuptojmë se ata që edhe në situata normale priren të sillen me përgjegjësi (mjekët, punonjësit e sistemit shëndetësor, farmacistët, arkëtarët, punonjësit e transportit, policia, ushtria etj.) vazhdojnë të sillen ende kështu me vetëmohim. Ndërsa të gjithë ata që i përkasin pjesës tjetër, sigurisht me përjashtimet përkatëse, vazhdojnë të jenë po aq egoistë, narcistë, të egër apo budallenj si më parë.

Asnjëherë nuk duhet harruar që, edhe në raste emergjencash, gjithmonë ka njerëz “të gatshëm” të shohin në to mundësi për interesat, kauzat apo planet e tyre, deri në fund. Ata që tani shohin rikthimin e normalitetit dhe marrin pozicionet përkatëse për të përfituar gjatë periudhës së tranzicionit.

Teksa Europa përpiqej të mos pësonte disfatë në Luftën e Dytë Botërore, sipërmarrës, politikanë, bankierë dhe “revolucionarë” luajtën pjesët e tyre duke menduar për rezultatin përfundimtar që do të vendosej në tavolinë. Në krye të të gjithëve ishte Stalini, siç tregon edhe pushtimi i vendeve të Europës Lindore që, përmes pasardhësve të tij zgjati për më shumë se 40 vite, nëse nuk vazhdon ende sot nëpërmjet maskimeve të reja autoritare (shihni Rusinë, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë).

Edhe sot lexoj deklarata që duken të diktuara nga figuracioni që do të marrë tryeza kur kjo situatë të ketë përfunduar. Meskinët dhe komplotuesit nuk reshtin së qeni të tillë edhe gjatë tragjedisë, madje edhe shkëlqejnë më shumë. Podemistët (anëtarët e partisë spanjolle “Podemos”) si Echenique, Monedero dhe të tjerë sulmojnë Amancio Ortegan dhe Botínin sepse dhanë miliona për të ndihmuar sistemin shëndetësor gjysmë të shpërbërë nga Partia Popullore dhe nga popullsia e pasigurt.

Ata milionerë pa dyshim kanë defektet dhe ndoshta njollat e tyre, por nuk mund të fyhen kur japin një dorë (do të vinte koha edhe për këtë), por përkundrazi duheshin pranuar “lëmoshët” e tyre me krahë hapur dhe me mirënjohje: në fund të fundit, mund të tregoheshin indiferentë teksa punonjësit e shërbimeve shëndetësore rrezikonin jetën pa maska dhe doreza, apo kur më të dobëtit vdisnin për shkak të mungesës së respiratorëve.

Nga ana e tyre, luftëtarët e pavarësisë së Katalonjës, klinikisht të fiksuar, në këtë situatë panë vetëm mundësinë për ta mbyllur Katalonjën dhe për të marrë de fakto republikën e tyre, megjithëse në mënyrë fiktive dhe të përkohshme: ata shqetësohen vetëm për ëndrrat e tyre me sy hapur, për rrugëtimin e tyre, për vetërealizimin e tyre, të ndodhë ç’të ndodhë përreth. PP dhe Vox nuk e lënë t’u shpëtojë rasti për të sulmuar qeverinë për gafat dhe ngathtësinë kongjeniale.

Jo, asnjë nuk përmirësohet për shkak të dhembjes ose të frikës. Përkeqësohet. Vazhdoj të lexoj opinionistët që i kam lexuar me kënaqësi dhe admirim. Shumë që përtej të pasurit vetëm një mendim apo vizion për situatën, të japin përshtypjen se e kanë pyetur veten shumë përpara kësaj situate: “Çfarë do të më bëjë të jem më i mirë sot? Të flas për të moshuarit, për ata që po përballen me katastrofat, për heronjtë e heshtur, për botën e babëzitur që na solli deri këtu?”… Ndërsa demagogët për përfitimet e tyre, nuk i duroj dot, dhe as nuk qesh dot e as kam kuriozitet profesional.

Jo, fatkeqësia nuk do të na bëjë më racionalë e as do të na japë leksione, nuk do të zhdukë tymin dhe as prezumimet tona. Gjithçka vazhdon e pandryshuar dhe druhem se kështu do të vazhdojë. Për ta mbyllur me një shënim kurajoje do të kujtoj një thënie të Edmund Burke, që mund t’u shërbejë atyre që në çdo rrethanë përpiqen të sillen në mënyrë të përgjegjshme: “Asnjëherë mos e humbni shpresën dhe nëse dëshpëroheni, vazhdoni të punoni”.

*Javier Marías është shkrimtar spanjoll i përkthyer në 42 gjuhë të botës. Në shqip, janë botuar librat e tij “Një zemër kaq e bardhë”, “Nesër në betejë mendo për mua” dhe “Një zemër kaq e bardhë”.

Ky artikull i botuar në “El Pais” u shqipërua nga Erjon Uka.

Na shkruani