Botime Dudaj

 

Javier Cercas: Dilema e madhe

Ndoshta është dilema kryesore e këtij momenti të rëndësishëm: liri apo siguri. Për mbrojtësit e rreptë të sigurisë, çdo gjë është e justifikuar në mënyrë që të shpëtojmë jetët e njerëzve nga kjo pandemi, dhe nga ato të tjerat që mund ta pasojnë: është e rëndësishme të kemi një shoqëri të kontrolluar dhe të gjurmueshme, në të cilën mund të ndjekim çdo milimetër falë aplikacioneve të telefonisë celulare që do të funksionojnë si pasaporta me telekamera të instaluara në shtëpitë tona. Prandaj na thuhet se do të shpëtojmë mijëra jetë dhe miliona vende pune duke ruajtur shëndetin dhe prosperitetin e shoqërisë sonë.

Nga ana tjetër, për mbrojtësit rigorozë të lirisë, liria nuk duhet kufizuar për asnjë arsye. Sipas tyre, liria është një vlerë sipërore dhe nuk mund të këmbehet me shëndetin, mirëqenien ekonomike e të tjera, dhe veçanërisht tani shtetet përfitojnë nga emergjenca shëndetësore si justifikim për të përmbushur atë që Giorgio Agamben e quan “gjendja e emergjencës së vazhdueshme”.

Mes apostujve të sigurisë absolute janë, pak a shumë publikisht, disa autokratë dhe disa aspirantë për t’u bërë autokratë, dhe pak a shumë në mënyrë sekrete, shumë qytetarë të frikësuar. Ndërsa apostujt e lirisë absolute përbëhen nga një kast herterogjen, që nga filozofë si Agamben te ndjekësit e armatosur të Trump që mësynë në Kapitolin e Michigan më 30 prill për të protestuar kundër masave të izolimit të vendosura nga guvernatori i atij shteti.

Është e qartë se të dyja palët kanë pjesërisht të drejtë, po ashtu siç është se asnjë nuk ka të drejtë. Isaiah Berlin kohë më parë formuloi postulatin e ekzistencës së të vërtetave kontradiktore për qëllime apo vlera të papajtueshme. Sipas mendimtarit britanik, si në jetën individuale ashtu edhe në atë kolektive ekzistojnë vlera të çmuara, të denja për t’u dëshiruar por të papajtueshme mes tyre. Le të themi liri dhe barazi. Që të dyja janë ideale të çmuara, edhe pse jo gjithmonë është e lehtë t’i bësh bashkë, sepse liria totale e të fuqishmëve dhe e të talentuarve përplaset me të drejtën e të dobtëve apo të atyre me më pak aftësi për një jetë të mirë. Pra më shumë liri, më pak barazi. Më shumë barazi, më pak liri.

Ekzistenca është e mbushur me të tilla dilema. Atë që qartësisht po e përjetojmë tani në mënyrë dramatike, është dilema që na detyron të zgjedhim mes lirisë dhe sigurisë. Në fillim të muajit prill, kur në Spanjë çdo ditë vdisnin më shumë njerëz se gjatë Luftës Civile, do të mund të pija një shishe të shkëlqyer me miqtë e mi në Plaza de Cataluña në Barcelonë. Në këtë mënyrë do të ushtroja deri në fund lirinë time, por do të vija në rrezik jetët e shumë njerëzve. Në të kundërt, në atë moment të tmerrshëm qeveria mund të vendoste, duke na trembur, të na mbyllte të gjithëve deri sa të gjendej një vaksinë (thonë që për këtë duhet një vit, një vit e gjysmë). Kjo gjë do ta bllokonte shpërhapjen e virusit dhe do të mbronte shëndetin tonë, por do ta kishte bërë shkrumb e hi lirinë dhe ekonominë tonë.

Kështu është, disa herë disa të mira sipërore – mes të cilave liria dhe shëndeti – nuk mund të përputhen plotësisht bashkë. Disa herë kemi të bëjmë me rezultate të vlefshme por të papajtueshme, me qëllime të mrekullueshme por antagoniste, që duket se na dënojnë me zgjedhjen mes tyre: më shumë liri, më pak siguri. Më shumë siguri, më pak liri.

Cila është pra zgjidhja e dilemës? Zgjidhja qëndron në faktin se nuk ka një zgjidhje, ose të paktën jo një zgjidhje absolute, përfundimtare dhe të përhershme, sepse vetë ideja e një bote perfekte në të cilën të gjitha të mirat bashkëekzistojnë në harmoni me njëra-tjetrën ka jo vetëm pak gjasa që të ndodhë, por nuk është as koherente.

Zgjidhja është gjetja e një ekuilibri vlerash. Meqenëse e mira në ekstrem zakonisht bëhet e keqe, meqenëse vlerat shpesh shuhen sipas rasteve, bëhet fjalë për të gjetur një mënyrë për të arritur lirinë maksimale që mund të bashkëveprojë me sigurinë maksimale.

Të lodhemi me këtë ekulibër, që na detyron të ruajmë ose të rrisim liritë demokratike pa humbur sigurinë, është ndoshta detyra më vendimtare që na pret. Nuk do të jetë e lehtë. Por asnjë nuk e ka thënë se të jetosh qenka e lehtë, përveçse me sy mbyllur, si në këngën e Beatles. Sapo i hap, nisin ndërlikimet.