Botime Dudaj

 

Camilla Läckberg: Njeriu i jetës nuk ekziston

Tre martesa, e fundit me kampionin e arteve marciale Simon Sköld, katër fëmijë, përkthime në 50 gjuhë dhe 26 milionë kopje të shitura, skenare televizivë dhe më pas një shoqëri prodhimi bizhuterish e një kompani investimi… Vallë prej kujt mund të druhet Camilla Läckberg, e lindur 45 vite më parë në një fshat me më pak se një mijë banorë në Suedi, vajzë e një polici, e shndërruar në mbretëreshën e romaneve triller?

“Gjykimi i mamasë për skenat e seksit në romanet e mi. Ka raste që edhe ia shënoj faqet e caktuara, që të mos i lexojë”, rrëfen shkrimtarja. “Romanin tim të parë, “Princesha prej akulli” ime më e quante libri i seksit. Nuk di se ç’do të thotë tani!”.

Në romanin tuaj të fundit, personazhi Faye bën realitet fantazitë që nuk i bënte me ish-bashkëshortin, sepse në atë rast do të ishte kompensimi i një mungese. Këtu duket sikur përjeton një tepricë dashurie. Është kështu?

Veprimet janë më elokuente se fjalët, dashuria për një person mund të shkëlqejë në atë që bëni dhe si silleni. Është shumë njerëzore të dëshirosh t’i afrohesh dikujt duke i fshehur sekretet e tua intime dhe duke ndarë ato të të tjerëve. Shprehja e dashurisë është një gjë e bukur, por nuk mund t’i doni të gjithë. Sigurisht që Faye nuk e do më Jack-un.

Keni pasur ndonjëherë ndonjë eksperiencë apo fantazi të tillë?
Përvoja e Faye është intensive dhe përforcuese. Kalon nga një martesë pothuajse pa dashuri dhe pa seks në këtë “ménage à trois”. Kontrasti është shumë i madh. Për të është një veprim çlirues. Ndërsa përvojat e mia personale, nuk i tregoj vërdallë.

Kur u martuat me bashkëshortin tuaj aktual në vitin 2016, 13 vjet më të ri se ju, mediat u tërbuan. Por më pas u kthye në trend. Nëse një grua martohet me një burrë më të ri, tani thonë “bëj si Camilla Läckberg”.
Prej gjeneratash, burrat lidhen dhe martohen me gra më të vogla dhe asnjërit nuk i luan qerpiku. Kur një grua guxon të rrijë me burrin që do dhe ai është më i vogël, mediat eksitohen. Bashkëshorti im Simon u quajt “toyboy”, “Mr. Läckberg” etj. Jemi mësuar aq shumë me këto komente sa as nuk i vëmë re. Por shoqëria po ndryshon dhe sot shkaktohet më pak skandal nëse një grua kërkon atë që do.

Një lajm i mirë edhe për meshkujt që ndihen të paragjykuar nëse qëndrojnë me një grua më të re. Apo jo?
Ka ende një ndryshim thelbësor në këtë rast: për burrat nuk është quajtur kurrë thyerje rregulli kur kanë zgjedhur si partnere gra më të reja. Shkelja e normave ndodh kur një grua bën të njëjtën gjë. Nuk do të diskutohej sjellja e protagonistes sime Faye nëse do të ishte mashkull. Por duke vendosur një grua në vend të një burri, thyej disa rregulla dhe këtë e vërej nga reagimet e caktuara ndaj librave të mi.

Si ju duket shprehja “njeriu i jetës sime”?
Duke qenë se jam martuar tre herë kam kuptuar se kjo shprehje duhet të ndryshohet në “njeriu i jetës sime të tanishme”. Do të thotë të ndjesh diçka të fuqishme për dikë, por si ti, ashtu edhe personi që dashuron me shumë mundësi ndryshoni dhe rriteni. Por kjo nuk e bën më pak reale dashurinë që ndjeni apo që keni ndjerë, do të thotë thjesht që në atë moment keni dashuruar dikë. Por nëse takoni dikë tjetër, mund të jetë personi perfekt për kohën kur e takoni. Çdo marrëdhënie është unike.

Në librin tuaj të ri, bashkëveprimi femëror triumfon në disa nivele. Jeta personale dhe karriera e protagonistes rrotullohen rreth mekanizmit të hakmarrjes. A mendoni se ka nuanca të ndryshme në mënyrën sesi burrat dhe gratë e përjetojnë këtë ndjenjë hakmarrjeje?
Emocionalisht jo, është personaliteti dhe temperamenti i personit që ka më shumë rëndësi sesa gjinia. Por mbase gratë ndihen se kanë më pak të drejta për t’u hakmarrë, sepse shoqëria i gjykon gjithmonë më ashpër gratë dhe në shumicën e rasteve u bën thirrje që të falin.

Çfarë ju duket më mizore: burgosja apo vrasja e një njeriu të pafajshëm?

Niveli i mizorisë në këtë skenar është i komplikuar: përgjithësisht, nuk mendoj se dikush duhet ta vrasë një njeri tjetër. Nga ana tjetër, është e tmerrshme të burgosësh njerëz të pafajshëm, ja pse mendoj se është kaq i rëndësishëm shteti i së drejtës. Dhe ja pse ndjej kaq shumë kenaqësi kur shkruaj për personazhe ambigue, sepse më bën të vendos në dyshim idenë time mbi moralin kur shkruaj dhe shpresoj edhe moralin e lexuesit. E bukura e të shkruarit triller është se mund t’i fusësh në veprime të paligjshme e skandaloze personazhet e t’i justifikosh përpara lexuesit. Në jetën reale mund të simpatizosh një njeri që ka kryer krim, por nuk mund të thuash që veprimet e tij janë të drejta.

Jeni hakmarrë ndonjëherë? Qoftë edhe psikologjikisht…

E dashuroj hakmarrjen, më josh. Sigurisht, nuk e kam çuar deri në pasoja ekstreme, siç bën Faye, por sigurisht që nuk jam edhe njeri aq i urtë. Është një burrë atje jashtë, që me siguri ka pësuar një goditje në vetëvlerësimin e tij pasi u mora me të. Një goditje e merituar, ju siguroj. Por më shumë jam planifikuese, planifikoj veprime për hakmarrje të avancuara, pa i përmbushur. Të jep më shumë kënaqësi të mendosh për hakmarrjen se sa ta kryesh atë, sepse është një çështje pushteti dhe rimarrje kontrolli.

Ekziston një shprehje, shpesh e kritikuar sepse i jep më shumë peshë motivit të kriminelit sesa të viktimës, që quhet “krim pasioni”. Ekziston ky koncept në Suedi?

Përdorim termat francezë ose anglezë. Më pëlqen si koncept, sepse është një katalizator fantastik për imagjinatën: për shembull çfarë e ndezi flakën e këtij veprimi kriminal, kush u plagos dhe pse? Prej kësaj, mund të lindin skenarë të ndryshëm letrarë.

Ju druheni se në Suedi po rritet një brez fëmijësh të llastuar, për shkak të kultit hipi të lirisë së fëmijëve.

E vështirë të flasësh për fëmijët, sepse prindërit direkt kalojnë në mbrojtje. Po, vazhdoj të besoj se fëmijët janë më të llastuar, por nga ana tjetër janë më pak seksistë, racistë dhe ksenofobë. Në përgjithësi po rritet një brez më tolerant.

Çfarë mamaje jeni?

Teksa fëmijët rriten, ndihem gjithnjë e më shumë rehat me amësinë time. Unë nuk e kam këtë stereotipin e instinktit femëror. Kur bëhet fjalë për fëmijët, preferoj të bisedoj në një mënyrë të paparashikueshme me një djalë 5 vjeç, sesa të ndërroj pelena

*Camilla Läckberg është shkrimtare suedeze. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Na shkruani