Botime Dudaj

 

Dan Brown: Suksesi është fat

“Simfonia e kafshëve” është libri i ri i Dan Brown-it. Jo një triller dhe as vazhdim i serisë me Robert Langdon. Tani autori i miliona kopjeve të shitura, ka ardhur me një libër për fëmijë, të cilin e quan shpëtim nga metodika. Ka kaluar koronavirusin dhe mendon se suksesi është fat. Nga një muzikan i dështuar, në librat e pashitur, u desh koha e duhur, vendi i duhur dhe botuesi i duhur me romanin “Kodi i Da Vinçit” që të njihej kudo në botë.

Në librin tuaj, miu dhe kafshët e tjera ngrenë pankartat me këshilla për jetën. Njëri thotë: “Të gjithë gabojnë në fillim”. Ju ka ndodhur edhe ju? Në ç’mënyrë?
Sigurisht, është e pashmangshme. Kam ndjekur rrugën e gabuar të shumë të tjerëve. Jemi emotivë, nuk e pranojmë se dështojmë. Fëmijët kështu janë: çdo dhimbje, çdo dështim duket fundi i botës. Duke u rritur, duhet kuptuar se kjo nuk është e vërtetë. Gabojmë derisa e kuptojmë se po gabojmë.

Kush ju solli në rrugën e duhur?
Shembulli i prindërve të mi. Babai im: ishte matematikan, jepte mësim në universitet, ka shkruar trembëdhjetë libra, best seller në fushën e tij. Thuajse të gjithë kanë studiuar matematikë në familjen Brown. Nga ai kam mësuar përulësinë, por edhe mirësjelljen. Janë dy gjëra thelbësore. Për të gjykuar të tjerët, kam kuptuar se duhet t’i çosh në restorant dhe të shohësh se si sillen me kamerierët. Mes atyre që kam njohur në jetën time, mbizotërojnë njerëzit e mirë, për fat.

Fat apo aftësi përzgjedhëse?
Nëse e nënvlerësojmë rolin e fatit, po tallemi me veten. Shihni suksesin e “Kodi i Da Vinçit”. Ishte fat, 90% fat. Momenti i duhur, botuesi i duhur, kopertina e duhur. Por edhe mungesa e fatit të ndihmon ndonjëherë. Të bën të devijosh, derisa gjen rrugën tënde. Kur isha i ri, isha muzikan: 2 albume të publikuara, 2 dështime. Dhe u përqëndrova te letërsia.

A do ta ndërronit “Kodi i Da Vinçit” me suksesin e këngëve “Imagine” apo “Satisfaction”?
Jo, jo. Por isha më shumë një kompozitor ala Elton John. Por e dini se cili ishte modeli im? Lucio Dalla. Më i miri. Por gjithsesi kuptova se jeta e shrkimtarit më përshtatet më shumë se ajo e muzikanit, sepse jam njeri vetmitar. Nëse bën muzikanin duhet të kesh edhe forcën për të takuar plot njerëz. Për qejfin tim, luaj piano vetëm, mbrëmjeve. Shkruaj muzikë, por vetëm për veten time. Por pastaj me librat më eci më mirë, edhe pse tre të parët nuk patën sukses në fillim.

Por pas librit “Kodi i Da Vinçit”, edhe ata u bënë libra të shitur. Dhe të mendosh se nuk kishit ndryshuar asnjë presje nga tekstet fillestare të botuara. Madje te “Ëngjëj dhe djaj” ishte edhe personazhi i Robert Langdon. Çfarë ju ka mësuar kjo gjë mbi gjykimin e publikut?
Ajo që thashë më parë: ka rëndësi fati. Shes 20 milionë kopje dhe kam që tani tre libra të tjerë gati për t’i hedhur në treg.

Kur është më e vështirë të rifillosh të shkruash, pas një dështimi apo pas një suksesi?
Churchill thoshte se sekreti i suksesit qëndron në aftësinë për të kaluar nga një dështim në tjetrin pa e humbur aspak entuziazmin. Kur gjërat ecin mirë, bëhesh i vetëdijshëm për rolin që ke. Prej kohësh kjo gjëështë problem për atë që shkruan, krijon muzikë apo merret me sport. Paralizë e analizës, thuhet. Pas “Kodi i Da Vinçit” për rreth dy muaj nuk kam arritur të shkruaj as edhe një rresht. Mendoja: A do të jetë e denjë për njëzetë milionë njerëz?

Një tjetër nga kafshët në librin tuaj ngre pankartën dhe sugjeron: “Edhe kur jeta duket një rrëmujë e madhe, është e mundur ta gjesh të bukurën në çdo gjë”. E besoni, apo thjesht ju pëlqen ta thoni?
E besoj. Vlerësoj çdo moment. Jam mirënjohës për çdo gjë që kam marrë dhe përpiqem të kthej diçka në këmbim: dije, kënaqësi, bukuri.

Ku është e bukura e kësaj pandemie?
Në bujarinë që treguan shumë njerëz. Në mirëkuptim, në solidaritet. Është e lehtë të jesh i mirë kur gjërat shkojnë mirë. Por gjithsesi shumë kanë qenë të tillë pëpara dhe vazhdojnë të jenë në këtë tragjedi universal. Flas prej eksperiencës sime, edhe unë e kalova virusin.

Kur ndodhi?
Në shkurt. Kam qenë shumë keq për tre ditë. Mu deshën dy javë për të marrë veten, por nuk kam pasur më simptoma dhe mendoj se ia kam hedhur.

Në romanin “Ferri” ju keni imagjinuar përhapjen e një pandemie të dhimbshme nga një personazh që e mendonte luftimin e mbipopullimit si zgjidhjen e problemeve. Sa ju kanë akuzuar se jeni pjesë e të njëjtit komplot së bashku me Bill Gates dhe të tjerë?
Shumë më kanë shkruar për të më pyetur se çfarë mendoja për këtë gjë, nëse është një virus i përhapur nga njeriu. Madje edhe dy përfaqësues qeverish më kanë kontaktuar. I jam përgjigjur të gjithëve: jo, mendoj se jo. Është gjithçka natyrore, ndodh. Ishte diçka që mund të ndodhte, madje disa e kishin parashikuar. Sipas këndvështrimit tim, natyra po na dërgon një mesazh. Si ai personazhi im që thotë se mbipopullimi është i patolerueshëm. Por do të arrijmë ta kontrollojmë dhe të njëjtën gjë mendoj edhe për emergjencën klimatike. Kam besim te shkenca.

Në kohë të errëta njerëzit preferojnë t’i drejtohen fesë…
Është historia e botës. E urrejmë idenë se nuk mund të kemi shpjegime për atë që po ndodh, zgjidhje apo shpresa. Është ndjesia e të qenit në autobus pa shofer. Duhet gjetur patjetër një shofer, një drejtim. Nuk e shohim? Atëherë me siguri duhet të jetë plani i Zotit. Në fund gjithçka sqarohet. Feja është një teori komploti. Më e kompletuara. Shpjegon të pashpjegueshmen dhe të kërkon të bëhesh pjesë e atij vizioni: vijmë nga mijëra vite fundamentalizëm.

Ju u përpoqët të profetizonit fundin e Zotit siç ne e njohim. Një rrezik i madh: nga “Zoti ka vdekur” në “Zoti është gati të vdesë”?
Ideja mbi Zotin do të ndryshojë, do të bëhet diçka tjetër. Kjo sepse vetë njerëzimi po ndryshon. Të rinjtë e sotëm nuk kanë të njëjtin besim që kanë pasur paraardhësit e tyre. Provoni t’u tregoni fëmijëve 7-vjeçarë historinë mbi Adamin dhe Evën dhe do ta kuptoni këtë që po them. Do të marrë celularin, do të shkojë në Google dhe më pas do t’ju shohë shtrembër sepse ai version do t’i duket i dyshimtë ose fantashkencë.

Ju arritët në këtë mendim në moshën 13-vjeçare…
Për një trembëdhjetë vjeçar të sotëm mrekullia është që një version i ri i Iphone të shkrepë foto perfekte edhe në errësirë të plotë.

Zoti po vdes, por edhe liderët e vendeve më të rëndësishëm të planetit nuk janë edhe aq mirë.
Sigurisht. Ishin më mirë ata të së shkuarës. Pjesa më e madhe e liderëve aktualë nuk meritojnë besim, janë krejtësisht të pabesueshëm. Trump është kështu, e kam thënë dhe do e them prapë. Jam i lirë të them se presidenti im bën gjëra të paarsyeshme. Koronavirusi mund të jetë një alarm zgjimi. Sistemi është fajtori dhe duhet ndryshuar.

A është frika ndjenja që mbizotëron në fillim të këtij mijëvjeçari?
Për fat të keq po. Por nuk do të kthehesha kurrë prapa, sot jemi më të sigurtë dhe jetojmë më mirë se prindërit tanë.

Ju jetoni mirë?
Tani që kaloi rreziku, po. Jam unë dhe qeni im, së bashku me një mori personazhesh që më kalojnë në kokë. Kur përfundoj së shkruari, është sikur dal nga rutina: lëvizja vazhdon. Dëgjoj dialogjet e tyre, por gjithçka ecën mirë, e mbaj veten të angazhuar. Çdo roman i ri është një univers, imagjinoj drama, zhvillime, cilësime, pastaj duke e bashkuar me studime: lexoj fizikë, histori arti. Shkruaj ndonjë traktat njëqind faqesh, e vetëm pastaj ia nis punës. Shumë prej atyre që kam studiuar qëndrojnë jashtë librit, është një punë kolosale.

A nuk druheni se do të bëheni rob i metodikës?
Shpëtova! Kam shkruar një libër për fëmijë.

Pas gjithë këtyre viteve dhe kësaj pune të madhe, në gjurmët e thesareve dhe kodeve sekrete, a e keni deshifruar enigmën e jetës? Ose të paktën, të jetës suaj?
As nuk i jam afruar. Por a e dini si thuhet? Nëse gjatëjetës suaj plotësoni të gjitha ëndrrat, e keni vendosur stekën shumë poshtë.

Në çfarë besoni?
Në ligjin e dijes. Në faktin se, në një pikë të caktuar, do të kemi përgjigje për të gjithë. Nuk besoj në parajsë, dhe për momentin as në rimishërim.

Për momentin?
Epo gjërat ndryshojnë. Dhjetë vite më parë nuk besoja në disa gjëra që sot besoj.

Një pyetje e fundit: Sipas jush, kjo intervistë që bëmë me videokonferencë është dëgjuar?
Po. Falë teknologjisëështë regjistruar dhe arkivuar me ndonjë vend. Por besoj se ka shumë biseda të tjera që kanë më shumë rëndësi se kjo e jona dhe do të dëgjohen përpara nesh. Unë jam një autor bestseller, flas me një gazetë të rëndësishme, kemi përmendur emrin e Trump. Sistemi do të japë një sinjalizim. Privatësia ka vdekur, tani duhet të synojmë probabilitetin: që të mos jemi ne në krye të listës.

*Dan Brown është shkrimtar amerikan. Librat e tij janë përkthyer në 57 gjuhë, janë shitur në mbi 200 milionë kopje dhe janë ekranizuar. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Na shkruani