Botime Dudaj

 

Vera e përhershme e Isabel Allendes: Në moshën time është rikthyer stina e dashurisë

“Trupi plaket e prandaj të tjerët kujtojnë se plakesh edhe nga brenda, por nuk është kështu. Dashuria mbetet gjithmonë e njëjta, dikush që ke në mendje dhe të mungon do të jetë i tillë për gjithë jetën, si seksi. Bota i injoron pleqtë, por pleqtë e duan ende botën.”

 

Pas një jete dedikuar letërsisë dhe aktivizmit shoqëror, Isabel Allende sot është 76 vjeç, por tregon shumë më pak. Flokë perfektë, fustan i zi, xhaketë kadifeje e kuqerremtë. Romani i saj i ri, “Përtej dimrit” e ka marrë titullin prej një fraze të Albert Kamy në “Kthim në Tipasa”: “Më në fund kuptova se në zemër të dimrit, tek unë gjendej një verë e përhershme”. Sepse libri është historia e një rilindjeje personale, e sublimimit të vetmisë. Lucia, rreth të gjashtëdhjetave dhe e divorcuar, kiliane e zbuar sikundër edhe Allende, shkon në Brooklyn për të dhënë mësim ku dashurohet me Riçardin, edhe ai profesor i vjetër. Një dashuri që duket e pamundur, por që për të cilën mendon emigrantja e vogël Evelyn për të çmontuar dokrrat e vjetra. “Atë shprehje të Kamysë e kam dëgjuar në New York, në një konferencë të oratorit gjerman Eckhart Tolle, teksa po përjetoja dimrin e jetës sime”, shpjegon Allende.

Përse Isabel?

Sapo isha divorcuar me burrin tim William Gordon pas 28 vitesh së bashku. Ai dëshironte të bëhej shkrimtar, por nuk e kishte të lehtë duke më pasur mua në krah, ndërsa në të njëjtën kohë u nda nga jeta Carmen Barcells, agjentja letrare që për mua ishte si nënë. Më vonë  ikën edhe tre miq të shtrenjtë, së bashku me qenin tim. U gjenda e vetmuar. Kur dëgjova atë shprehje të Kamysë, kuptova se edhe unë po jetoja një dimër të gjatë, nga i cili duhej të dilja vetëm përmes letërsisë.

Si ia dolët?

Duke marrë përsipër rreziqe, ndryshe nuk mund të quhet jetë e vërtetë. Gjithmonë duhet ta hapim zemrën tonë, vera është aty jashtë duke na pritur.

Dhe ashtu si në libër, kuptuat se ishit dashuruar në moshën 74-vjeçare me Roger Cukras, moshatari juaj avokat në New York.

Në maj të vitit 2016 fillova të marr e-maile çdo mëngjes. Roger më kishte dëgjuar gjatë një interviste në radio dhe kërkonte të më njihte me çdo kusht. U pëlqyem që në fillim, është unik në mirësjelljen e tij. Do të transferohet tek unë, në Kaliforni. Është një rrezik shumë i madh në moshën e tij, por ka vendosur ta ndërmarrë. Kjo është dashuria, kjo është jeta.

Si është dashuria në moshën tuaj?

Si ajo e çdo moshe. Edhe në romanin tim paraardhës “Dashnori japonez”, kam trajtuar dashurinë në pleqëri. Trupi plaket e prandaj të tjerët kujtojnë se plakesh edhe nga brenda, por nuk është kështu. Dashuria mbetet gjithmonë e njëjta, dikush që ke në mendje dhe të mungon do të jetë i tillë për gjithë jetën, si seksi. Bota i injoron pleqtë, por pleqtë e duan ende botën.

Keni frikë nga kalimi i kohës, që të mos dashuroni aq sa doni?

Jo. Gjëja që më tremb më shumë është të humbas pavarësinë time. Por që kur vdiq Paula, vdekja nuk më tremb më.

Paula është vajza juaj, e ndarë nga jeta në moshën 29-vjeçare më 1992-shin për shkak të një sëmundjeje të rrallë.

Ja tek është fotoja e saj, e shihni? Nuk jam besimtare, por e ndiej spiritualitetin brenda meje. Paula është vazhdimisht e pranishme në jetën time dhe nuk po flas për një fantazmë, por për një shpirt të kudondodhur së cilit i dedikoj dashuri dhe kujtime. Më 22 tetor ishte ditëlindja e saj. Ikëm në pyll ku ndodhen eshtrat e saj dhe bëmë një ceremoni të vogël, por ajo nuk është kurrë një ditë e trishtë për mua.

Në fakt, jo rastësisht libri që ju bëri të njohur në gjithë botën është “Shtëpia e shpirtrave”, i nisur më 8 janar të shumë viteve më parë.

Atëmot punoja në një shkollë në Venezuelë dhe gjatë pushimeve dimërore nisa të shkruaja. Prej atij suksesi, çdo 8 janar të çdo viti izolohem nga bota dhe filloj të shkruaj një libër të ri.

Po kur nuk keni frymëzim?

Nuk ka ndodhur kurrë. Prodhoj sepse jam e disiplinuar. Nuk ka të bëjë frymëzimi, por një ide që e ke gjithmonë. Pastaj nevojitet vetëm shumë punë dhe përqendrim. Jo pa shkak unë shumë rrallë i kam ndryshuar botuesit e mi. Kanë besim tek unë dhe nuk ankohen kurrë.

Edhe lexuesit i keni shumë besnikë. Rreth 100 milionë kopje të shitura në gjithë botën.

Kur e nisa këtë punë nuk kishte shkrimtare të tjera femra në Amerikën Jugore dhe ishte pikërisht agjentja ime Carmen Barcells që më promovoi në Europë. I tha botuesit spanjoll “Plaza&Janes?”: “Merrni Allenden dhe ju jap Juan Marse”. Në fillim më ka ndihmuar edhe mbiemri im, por lexuesve u pëlqej sepse flas për marrëdhënie dhe emocione të thjeshta, emocione të përbashkëta në të gjithë njerëzit e botës. Historitë e mia janë edhe të tyret.

Çfarë ka ndikuar më së shumti në letërsinë tuaj?

Isha 13 vjeç dhe jetonim në Liban. Njerku im ishte diplomat, ndërsa unë nuk kisha jetë sociale, vetëm shkollë dhe shtëpi. Ai kishte një kuti sekrete. E hapa një ditë dhe pashë cigare, whisky, çokollata, revista Playboy dhe disa vëllime të mistershme: “Një mijë e një net”. Vëllezërit e mi e kishin mendjen të pinin dhe të tymosnin, ndërsa unë isha magjepsur pas këtij libri. E lexova në tualet me qiri. Ishte fillimi i adoleshencës sime dhe më pas e gjithë jeta dhe letërsia ime u ndikuan nga ai libër.

Por gjithsesi kritika nuk ju pëlqen.

Nuk më durojnë sepse shes shumë, e për më tepër jam edhe grua. Për shumë vite, në Kili më kanë quajtur “tregimtare?”, jo shkrimtare, e megjithatë shisja më shumë libra se të gjitha burrat bashkë. Pas çmimit kombëtar të letërsisë, filluan të më respektonin, por kaloi shumë kohë. Jetojmë në një botë në të cilat vlerat mashkullore janë më të rëndësishme se ato femërore. Duhet shumë dije për të arritur barazinë. Për fat të mirë, sot vajzat e reja rebelohen: më parë mendonin se nuk ishte seksi të ishe feministe, sot e shohin si diçka të nevojshme.

Çfarë ju ka mbetur pishman pas një karriere kaq të gjatë?

Asgjë, sepse gjithmonë kam qenë vetvetja me dashurinë, me idetë e mia, me kauzat që kam përqafuar. Kjo e ka bërë jetën time pabesueshmërisht të thjeshtë. Gjithçka që bëj buron nga zemra, nga një bindje e thellë, jo nga vaniteti. Dhe sa herë shoh gjëra që nuk shkojnë siç duhet, i them. Kurrë nuk arrij ta mbaj gojën e mbyllur, për fat të mirë as në këtë moshë.

Përgatiti Erjon Uka, për “Blogu i rërës?” në Tiranapost.al

Na shkruani