Tokë e premtuar

Autor:Barack Obama Kolana: Gjinia: , Çmimi: 2500 Lekë

Në vëllimin e parë, kaq shumë të pritur, drithërues, të memuarit të tij presidencial, Barak Obama rrëfen historinë e odisesë së tij të pamendueshme, nga koha kur ishte djalosh që kërkonte të gjente veten, deri kur u bë udhëheqësi i botës së lirë, duke përshkruar, me detaje tejet personale, si edukimin e tij politik, ashtu edhe momente të shënuara të mandatit të tij të parë të presidencës së tij historike – një kohë ndryshimesh dhe turbullirash dramatike.

Obama i tërheq lexuesit në një udhëtim marramendës që nga aspiratat e tij më të hershme politike, tek pika e rëndësishme e kthesës, fitorja e vyer në asambletë zgjedhore në Ajova, që tregoi fuqinë e aktivizmit kokë më kokë me njerëzit, tek nata vendimtare e 4 nëntorit 2008, kur u zgjodh Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara, duke u bërë kështu i pari afro-amerikan që merrte postin më të lartë të vendit.

Duke reflektuar për presidencën e tij, ai ofron një shqyrtim të veçantë dhe të thellë si të fuqisë mahnitëse të Presidentit, ashtu edhe të kufizimeve të saj, si dhe vëzhgime autentike të dinamikave të politikës partiake të Shteteve të Bashkuara dhe diplomacisë botërore. Obama i fut lexuesit në Zyrën Ovale, në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, i merr me vete në Moskë, Kajro, Pekin e përtej. Ne na besohen mendimet e tij personale, ndërkohë që ngre kabinetin e tij, kur përballet me një krizë globale financiare, kur krijon gjykimin e tij për Vladimir Putinin, kur, përkundër shanseve të pamundura, arriti miratimin e Aktit për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm, kur përplaset me gjeneralët mbi strategjinë e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, kur merret me reformën për Uoll Stritin, kur i përgjigjet shpërthimit shkatërrues të sondës Deepwater Horizon, apo kur autorizon Operacionin “Shtiza e Neptunit”, që solli vdekjen e Osama bin Ladenit.

TOKË E PREMTUAR është një rrëfim jashtëzakonisht intim dhe i brendshëm – rrëfimi i një njeriu që vë bast me historinë, i një organizatori për komunitetin që vë në provë besimin e tij në skenën botërore. Obama është mjaft i çiltër për mënyrën e baraspeshuar të drejtimit të Zyrës si një afro-Amerikan, për barrën e rëndë të pritshmërive të një brezi të tërë, të ngritura peshë nga mesazhet e “shpresës dhe ndryshimit” dhe për përballimin e sfidave të mëdha morale gjatë marrjes  së vendimeve të rëndësishme. Ai tregohet mjaft i drejtpërdrejtë për forcat që e kundërshtonin si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, krejt i hapur mbi ndikimin që jetesa në Shtëpinë e Bardhë kishte mbi bashkëshorten dhe vajzat e tij, dhe nuk ngurron të rrëfehet për dyshimet e tij mbi veten dhe zhgënjimet e pësuara. Megjithatë, ai, për asnjë çast, nuk heq dorë nga besimi i tij se brenda eksperimentit madhështor amerikan, në zhvillim e sipër, përparimi është gjithnjë i mundur.

Ky libër kaq i fuqishëm e i shkruar me mjeshtëri, pasqyron më së miri bindjen e Barak Obamës se demokracia nuk është një dhuratë nga lart, por një frymë që bazohet tek ndjeshmëria dhe mirëkuptimi, e cila duhet të ndërtohet ditë pas dite.

 

 

Barack Obama ka qenë presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara, i zgjedhur në nëntor 2008, që e mbajti atë post për dy mandate presidenciale. Ai është autor i dy librave, bestselleri sipas New York Times, “Ëndrra nga im atë” dhe “Guximi për të shpresuar”, dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2009. Ai jeton në Uashington, me bashkëshorten e tij Mishelë. Çifti Obama ka dy vajza, Malian dhe Sashan.