Tjetri si unë

Autor:José Saramago ISBN: 97899943-0-208-6 Kolana: Nr. faqe: 292Përktheu: Nasi LeraViti i botimit: 2011 Çmimi: 1000 Lekë

Tertuliano Maksimo Afonsoja, mësues historie në një lice, tridhjetë e tetë vjeç, i ndarë nga gruaja dhe që jeton vetëm, i tmerruar, zbulon kopjen e tij të përkryer në një film të marrë me qira rastësisht në një video-klub. I mbërthyer nga një hutim i madh, fillon dhe sheh filma të tjerë, vërteton zbulimin e vet, pyet producentët dhe shpërndarësit e filmave dhe arrin të njohë emrin e atij që i ngjan tipar për tipar: Antonio Klaron. Me ndihmën e së dashurës, niset në kërkim të kopjes së tij – një njeri i zakonshëm, i martuar, aktor kinemaje – arrin të gjejë adresën dhe numrin e tij të telefonit dhe e bind për domosdoshmërinë e një takimi. Takimi ndodh në një vend të veçuar dhe përfundon me një mynxyrë, ngaqë secili kupton se dy qenie të ngjashme nuk mund të bashkëjetojnë. Cili prej të dyve është unë, cili është tjetri? Për Tertuliano Maksimo Afonson dhe për Antonio Klaron, sigurisht që përgjigjja nuk është e njëjtë. Atëherë, nga çrregullimi i identitetit, papritmas shfaqet tragjedia.

Edhe një herë, në mënyrë të shkëlqyer, José Saramago vë në skenë një mit për ta çmitizuar sa më mirë atë, për të trajtuar realitetin e kohës sonë dhe krizën e shoqërisë.

 

JOSÉ SARAMAGO (lindi më 1922 në Azinhaga, Portugali, vdiq në Tias, ishujt Kanari, në vitin 2010) është një nga romancierët më të mëdhenj të shekullit XX dhe të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI. Fitues i çmimit Nobel për letërsinë në vitin 1998, ai është i njohur në mbarë botën.

Shtëpia Botuese  “Dudaj” ka sjellë në shqip disa nga kryeveprat e tij, si Verbëria, Perëndia dorace, Ungjilli sipas Jezu Krishtit. Duke botuar romanin Tjetri si unë, po i japim lexuesit edhe një kryevepër tjetër të letërsisë botërore, që u shkrua në fillim të këtij shekulli.