Ti je e nesërmja

Autor:Brunilda Zllami ISBN: 978-99943-0-252-9 Kolana: Nr. faqe: 412Viti i botimit: 2012 Çmimi: 1000 Lekë

“Ti je e nesërmja” është një libër për miqësinë, dashurinë, iluzionet dhe shpresën. Një libër për rrugëtimin e jetëve që përsosen pikërisht nga vështirësitë, sfidat, rrëzimet e ngritjet. Është përpjekja për të ruajtur atë që është vetvetja, për të mos u deformuar në shpirt nga rrebeshet me të cilat përballesh. Është, mbi të gjitha, ëndrra e një të nesërmeje që s’mund të jetohet pa pasur pranë njerëzit që të kanë shoqëruar dhe kanë qenë pjesë e së shkuarës dhe e së tashmes, ata që janë dhe mbeten gjithnjë pjesë e jotja.

“Ishin ende në udhëkryq. Jeta e tyre kishte ndryshuar, por duke i lënë sërish më të hutuar se ç’kishin qenë para katër vjetësh, kur e kishin nisur këtë rrugëtim. Ishin plagosur e ngritur, kishin nxjerrë thonjtë për t’u kapur në cepa të brishtë, kishin bërë zgjedhje për të cilat e kishin ditur se do të pendoheshin, kishin marrë vendime që i kishin kurthuar. Jeta i kishte dënuar për të vuajtur peshën e gabimeve të reja e të vjetra, vetëm se tani koha rridhte më shpejt, më vrullshëm. Ishin futur në vorbullën e të rriturve, do të tirreshin në tezgjahun e një profesioni të vështirë, që s’do t’iu linte shumë kohë për të menduar për veten. Por ishin sërish bashkë. Si dikur. Të përhumbur në jetët dhe dilemat e tyre, do të gjenin pak dritë në atë lidhje që kishin krijuar dikur, një lidhje që do të mbetej përgjithmonë. Më e gjatë se një ndjenjë, më e fortë se një dashuri. Ishte lidhja që do t’i mbante gjithnjë pranë njëri-tjetrit. Sado të lodhur, të munduar, sado larg, ata do të kishin nevojë për sinqeritetin që ishte brumosur në shpirtin e tyre. Kishin nevojë për të, sepse vetëm ashtu nuk do të ndiheshin të vetmuar në sfidën e re që i priste. Pas një muaji do të fillonte një rrugëtim i ri, i panjohur, i mbushur me pengesa. Por, kur të ndiheshin ndonjëherë të zhgënjyer nga jeta, të trazuar në shpirt, kur të vështronin në listën e njerëzve që njihnin, sërish do zgjidhnin njëri-tjetrin. Kishin nevojë për një pasqyrë ku të shikoheshin dhe të kujtonin të shkuarën dhe të tashmen, të ëndërronin për të ardhmen. Pa pasur frikë.”