Thika

Autor:Salman Rushdie ISBN: 978-99943-0-811-8 Kolana: Gjinia: , , Nr. faqe: 226Përktheu: Idlir HoxhaViti i botimit: 2026 Çmimi: 1200 Lekë

 

Në shkurtin tashmë të largët të vitit 1989, ajatollahu Khomeini shpalli një fetva, një dënim me vdekje, kundër Salman Rushdisë, për shkak se kish shkruar “Vargjet satanike”, një roman i cili sipas udhëheqësit iranian, fyente fenë islame dhe profetin e saj. Pothuajse tridhjetë vjet pas asaj ngjarjeje, në mëngjesin e 12 gushtit 2022, ndërsa ndodhej në skenën e Institutit të Çotokuas, duke mbajtur një konferencë, një burrë i veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar me maskë u vërsul drejt tij me një thikë në dorë. Mendimi i parë që i erdhi ishte: «Pra, ti qenke. Ja ku je.» Ajo që pasoi ishte një akt dhune që tronditi botën letrare dhe jo vetëm. Në këto faqe tronditëse, Rushdi na bën të përjetojmë për herë të parë, me hollësi të paharrueshme, ngjarjet traumatike të asaj dite, si edhe gjithçka që pasoi: rrugëtimin e vështirë drejt rikuperimit fizik dhe shërimit, mundësuar nga dashuria dhe mbështetja e bashkëshortes së tij, Eliza, e familjes, e ushtrisë së mjekëve dhe fizioterapistëve të tij, si dhe komunitetit të lexuesve në mbarë botën.

“Thika” është vepra e një Mjeshtri të Letërsisë, në kulm të aftësive të tij, që shkruan me pasion, dinjitet dhe ndershmëri të pakushtëzuar. Është gjithashtu një dëshmi thellësisht prekëse e fuqisë së letërsisë, për t’i dhënë kuptim asaj që duket e paimagjinueshme, një meditim intim dhe ngushëllues mbi jetën, humbjen, dashurinë, artin dhe gjetjen e forcës për t’u ngritur sërish.

«Edhe gjuha është një thikë. Ajo mund ta çajë botën dhe të zbulojë kuptimin e saj, mekanizmat e fshehtë, sekretet e të vërtetat. Mund të hapë një udhëkalim nga një realitet në tjetrin. Mund të demaskojë gënjeshtrat, t’u hapë sytë njerëzve e të krijojë bukuri. Gjuha është thika ime. Sulmuesi më kish zënë në befasi, por ndoshta mund ta kisha përdorur gjuhën si një thikë për t’u mbrojtur: ajo mund të ishte mjeti i duhur për të rindërtuar dhe rimarrë botën time, për të rivendosur kornizën ku do ta varja sërish në mur tablonë time të botës, për të marrë mbi vete atë që kishte ndodhur, për ta përthithur dhe për ta bërë timen>>.

Janë botuar në gjuhën shqipe nga “Botimet Dudaj”: “Fëmijët e mesnatës”, “Turpi”, “Vargjet satanike”, “Psherëtima e fundit e arapit”, “Joseph Anton”, “Furia’, “Klouni Shalimar”, “Dy vjet, tetë muaj dhe njëzet e tetë net”, “Magjistricat e Firences”.