Video
“Annie Ernaux është emri i një mozaiku, copëzat e të cilit formësojnë tashmë, libër pas libri, një nga veprat letrare më të rëndësishme të kohës sonë”. Le Nouvel Observateur
Verë 1958. Për herë të parë larg familjes, një tetëmbëdhjetëvjeçare shkon në një kamp pushimesh duke shërbyer si kujdestare dhe aty zbulon vetveten: dashurinë, seksin, gjykimet e të tjerëve, stërmundimin për të jetuar rininë, etjen për liri. Përmes dritës së fotove të atyre kohëve dhe errësirës së kujtimeve të refuzuara, Annie Ernaux rijeton kohën tranzitore që e transformoi në një grua dhe shkrimtare, duke hetuar mendimet e veta, pritshmëritë, drojën (pa harruar çrregullimet e të ushqyerit dhe ankthet e fertilitetit) e “vajzës së viteve ’58”. Në këto faqe plot paqeti dhe dhimbjesh të fshehta, plot hove të papërmbajtshme e këngë – “Esperantoja e dashurisë” – është pikërisht turpi i së shkuarës që riprodhon kujtimet, duke u shfaqur kësisoj në një dhuratë të papritur, një armë të mrekullueshme të “përplasjes me realitetin”, që është dhe një nga joshjet më të mëdha të shkrimtarisë së Ernaux. “Kujtime vajze” është një refleksion i fuqishëm mbi shkrimtarinë dhe një epoke thelbësore të ekzistencës, është romani i ndaluar dhe i parrëfyeshëm që autorja e ka ndjekur për tërë jetën.
Annie Ernaux u lind në Lillebonne, më 1940 dhe është një nga zërat më autoritarë të panoramës kulturore franceze. Librat e saj studiohen dhe botohen në të gjithë botën. Për botuesin e saj Gallimard, vepra e saj është e shenjtë, arsye për të cilën ia ka përmbledhur në një vëllim të gjitha shkrimet kryesore, nën kolanën prestigjioze Quarto. Në librat e saj ajo ka zbuluar një metodë të re dhe mundësinë që të jep autobiografia për të transformuar rrëfimin e jetës sate në një instrument hetimi social, politik dhe ekzistencial. Konsiderohet një klasike bashkëkohore dhe adhurohet nga breza të tërë lexuesish dhe studentësh.
Nga Shtëpia Botuese Dudaj – libra të tjerë të Annie Ernaux: “Pasion i thjeshtë”, “Vitet”, “Vendi”.