Anita Varosi: Të shkruarit është grindje e përhershme me veten
Intervistë me shkrimtaren Anita Zela Varosi: “Nëse do e thoja me pak fjalë, do të thoja se të shkruarit është jetë dhe arsye. Shpesh më mjafton të kem një libër të nisur në kompjuter, thjesht ta di këtë, edhe pse mund të mos jem duke punuar me të e të jem duke bërë një mijë gjëra të tjera, si të gjithë”
-Deri më tani i keni ardhur lexuesit me tri romane. A mund ta përshkruani përvojën e të shkruarit?
Nëse do e thoja me pak fjalë, do të thoja se të shkruarit është jetë dhe arsye. Shpesh më mjafton të kem një libër të nisur në kompjuter, thjesht ta di këtë, edhe pse mund të mos jem duke punuar me të e të jem duke bërë një mijë gjëra të tjera, si të gjithë. Mua më pëlqen të lexoj, të bëj punën time, të udhëtoj, të rri me miq e të flas për muzikë, libra, filma, aktualitetin social e politik. Por pjesa që i jep më shumë kuptim qenies sime duket se janë disa faqe wordi që janë gjithnjë në fund të ekranit të kompjuterit, edhe pse mund t’i kthehem një mbasdite vetëm për të fshirë prej tyre. Për mua, të shkruash do të thotë të jesh gjithnjë në disa jetë njëkohësisht. Personazhet duket sikur të rilindin.. Në momentin që ulesh ta shkruash idenë tënde, je në një grindje të përhershme me veten për të harruar dhe fshehur gjykimin tënd. Kjo do të thotë se të duhet të zhvishesh nga të gjitha gjykimet personale (jo gjithnjë ia del!!!)dhe të krijosh botëkuptime që mund të jenë krejt tjetër nga karakteri dhe botëkuptimi yt. Vetëm se ti duhet ta bësh këtë domosdoshmërisht, përdryshe ajo që ti krijon do të ishte si fotografia e punëtorëve të një fabrike me uniformë, dhe vetëm letërsi nuk do të ishte.
-Si i vlerësoni librat tuaj si autorja e tyre dhe si një lexuese e pasionuar?
Jam munduar t’i lexoj si një lexuese e jashtme, por e di që nuk do ia mbërrij asnjëherë, sepse unë mbetem po unë. Më pëlqen të mendoj se libri më i mirë është ai që jam duke shkruar. Që prej 5 vjetësh kur vendosa më në fund të merrem seriozisht me atë që kisha dashur të bëja gjithë jetën, kur e mbaroj një libër më mbetet një zbrazëti diku thellë që nuk gjej asgjë që mund të ma mbushë. Të nesërmen e ditës kur mbarova “Darka e fundit” i telefonova time bije dhe e pyeta: Çfare bëj unë kur nuk shkruaj një libër? Fillon një libër tjetër, – më tha, dhe vërtet atë natë unë shkrova fjalinë e parë të librit tjetër që në fakt mbeti për një muaj vetëm aq, një fjali.
-Cila ishte ajo? -“ Do të tregoj një përrallë?”. Kështu fillon romani që kam në duar.
-Si e ka pasuruar të shkruarit jetën tuaj dhe si e reflektoni atë përmes trillit artistik?
Është pak të them që e ka pasuruar. Të shkruarit i ka dhënë telajon jetës time. Tani nuk e mbaj mend si isha. Me siguri e paplotë, e hutuar në mijëra faqe të librave të të tjerëve që lexoja, e gënjyer pas justifikimeve se nuk gjeja kohë apo nuk e ndjeja veten të aftë për ta bërë, tani e di se sido që të di ta bëj apo sado energji të më marrë ky proces, unë nuk di të jem ndryshe. Trilli artistik nuk është një destinacion absolut të cilin ti e vendos që në fillim me një projekt- e zeza mbi të bardhë. Ti e fillon dhe e mbaron ditën duke skicuar ngjarje e personazhe, duke ndërtuar dhe fshirë fjalë pas fjale karaktere dhe jetë që të mund ta bëjnë çdo lexues të ndihet pjesë e asaj që lexon, ta bëjnë të mendojë, të dyshojë në mendimet e tij, të dojë apo të gjykojë personazhet dhe në fund t’i mungojnë ata pasi ka mbyllur faqen e fundit. Ndonjëherë ajo që shkruan është krejt e ndryshme nga ajo që kishe bërë plan të shkruaje, apo një personazh të jetë skicuar me një karakter më të “ëmbël” a më të “egër” se ai që doje në fillim. I gjithë ky është një proces që ndodh natyrshëm, jo hap pas hapi por fjalë pas fjale, ndaj dhe unë them se një shkrimtar s’mund të jetë asnjëherë në rolin e lexuesit.
-Si janë modeluar personazhet e romaneve tuaja dhe si është bartur koha përmes tyre?
Më pëlqen t’i ndërtoj sa më afër natyrës, pa zbukurime. Më pëlqen të dallgëzojnë mes humbjes e gëzimit, mes trishtimit dhe fuqisë për t’u ngritur. Histori jetësore. Padyshim që në personazhe të ndryshme do të shtosh gjëra që ke dëshirë t’i ketë. Por më së shumti janë personazhe që kanë hyrë në derën e letërsisë sime nga vetë realiteti. Po imagjinata ngelet gjithnjë një roje e përhershme e asaj që shkruaj.
-Sipas gjykimit tuaj, e shkuara apo e sotmja i ofron më shumë subjekte një shkkrimtari/je?
Jo. Për mua koha nuk e bën letërsinë. Në çdo kohë njerëzit kanë dashuruar, kanë vuajtur, kanë luftuar (me armë, ideologji apo besime) janë ndier fitues apo të humbur, janë përpjekur apo zhgënjyer nga vetja dhe bota. Nëse kanë zgjedhur të marrin përgjegjësi për veten apo janë fshehur pas fatit të tyre, përsëri kjo është natyrë njerëzore dhe fatmirësisht natyra njerëzore është nga gjërat më të larmishme që njohim. Personazhet sigurisht që janë të lidhur me kohë në të cilën ka zgjedhur autori të ndërtojë por kjo nuk ka lidhje me cilësitë, sjelljen apo botëkuptimin e tyre. ”Fat i çmendur” e shtrin subjektin nga lufta e dytë botërore në demokraci, por Zadin Balili është po aq njerëzor në karakter apo dashurinë e tij sa Arturi që jeton tek romani “Hijet” apo Dejvi tek “Darka e fundit”, dhe subjektet nuk kanë asnjë ngjashmëri as në kohë e as në kulturë me njëri-tjetrin. Nëse një roman shkon tek lexuesi, kudo që ai ndodhet, si pjesë e kulturës së tij duke e plotësuar atë me kënaqësinë e leximit, libri e ka përmbushur qëllimin e tij. Një libër i mirë nuk i përket një kohe apo një vendi fiks, ndryshe nuk do të na pëlqenin akoma sot librat e shkruara në shek 19-të apo ne shqiptarëve librat që shkruhen nga shkrimtarët e Amerikës së Jugut apo Japonisë.
-A do të guxonit që për hir te modernitetit në njërën nga veprat tuaja të ardhshme të ndërtonit një skemë rrëfimi, me te cilën nuk do të kishit një marrëdhënie mirëkuptimi?
Ndoshta do të guxoja, por a do t’ia dilja? Sado që kur shkruan ti përpiqesh të lësh mënjanë gjykimin dhe perceptimin individual, shoqëria ku ti bën pjesë, prejardhja, kultura e vendit dhe racës tënde, janë pavetëdije aty dhe t’i flet me gjuhën që je ndërtuar së brendshmi, me perceptimin që bën subkoshienca jote. Nëse moderniteti ka sjellë në ty ndikim, pavetëdije e reflekton këtë edhe në atë që shkruan. Kur shkruaja “Fat i çmendur” nuk mendova se në librin tjetër do shkruaja për marrëdhenie virtuale. Mbase në ndonjë libër tjetër do arrij të shkruaj për një marrëdhënie me një banor të ndonjë kontinenti a bote tjetër, nuk mund ta di tani këtë.
-Çfarë keni synuar të arrini me librat tuaj në momentin fillestar të botimit të tyre e në një kohë më të largët pas botimit?
Në momentin e parë, gjithkush shkruan për të realizuar pasionin e tij. Pas përfundimit dhe botimit gjithkush dëshiron që libri të arrijë në sa më shumë lexues. Kur bisedojmë për shkrimtarë të ndryshëm me një mik që e do letërsinë sa unë apo dhe më shumë se unë themi për shkrimtarët e preferuar ose që na pëlqejnë: Epo Markezi (po e përdor si shembull G. G. Markez) është nga lagjja jonë. Çfarë do të thotë kjo? Që një shkrimtar i mire është ai me të cilin ndihesh nga e njëjta” lagje”, që flet “gjuhën” tënde, e libri i të cilit mbetet brenda teje një kohë të gjatë në mos përgjithnjë (si” 100 vjet vetmi” për ne). Ëndrra është të jem një ditë nga “lagjja” e një lexueseje që ka jetuar gjithë jetën në Michigan,Vjenë apo Hong Kong.
-Çfarë do të dëshironit të ruanit nga përvoja juaj e deritanishme në librat që do të shkruani më vonë?
Ka ndodhur që kam shkruar një muaj rresht nga 6-8 orë apo më shumë në ditë dhe kam shkruar pjesë që përveç ndonjë rregullimi kanë mbetur në thelb po ato, e që kanë qenë sa gjysma e librit, por ka ndodhur të shkruaj për 6 muaj nga disa minuta (megjithëse jam menduar me sytë mbi kompjuter disa orë) e që në fund nuk kanë bërë as një kapitull, ose që kanë bërë shumë por i kam fshirë pastaj në një mbasdite të vetme. Nga përvoja kam mësuar se nëse nuk e kam në mendje e shpirt skicën e asaj që dua të shkruaj të mos bëj sikur shkruaj në të. Të shkruarit nuk ka lidhje as me oraret e as me dëshirën për punë.
-E nesërmja jote, si pjesë e botës së letrave dhe një gjykim personal për të ardhmen e artit të të shkruarit?
Dashtë Zoti e nesërmja do jetë duke shkruar, të paktën për sa kohë do të kem mundësinë për ta bërë këtë. Arti i të shkruarit është pjesë e natyrës njerëzore që e bën letërsinë apo që e dëshiron atë për t’u ndjerë këta që jemi, si gjithçka tjetër që na bën ne. Për sa kohë njeriu do të ketë shpirtin, do të ekzitojë letërsia dhe të gjitha artet, si materia që i duhet shpirtit për të pasur miq që nuk e lënë vetëm, siç janë librat dhe për t’u ndjerë më mirë dhe më i mirë.