25 vite tranzicion, Abrahams sjell librin “Shqipëria e Re” në Tiranë
Libri “Shqipëria e re” e autorit Fred Abrahams ishte në qendër të takimit me temë: “25 vjet, dokumente, memorie dhe tranzicion shqiptar”, që u mbajt në Qendrën për Hapje dhe Dialog(COD) në ambjentet e kryeministrisë.
Abrahams, këshilltar i “Human Rights Watch” dhe një ish-kërkues i “Open Society”, që punon prej 20 vitesh në Shqpëri e Kosovë tha se vepra e tij ofron një perspektivë tërësisht të ndryshme, nëpërmjet dokumentave dhe intervistave të papublikuara më pare.
“Për realizimin e këtij libri kam marrë afërisht 300 dokumenta nga arkivat e SHBA si dhe dokumente nga Departamenti i Shtetit, për marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë”, deklaroi Abrahams.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij u ndal tek rëndësia që ka Qendra për Hapje dhe Dialog si një hapësirë për të gjithë ata që kanë diçka për të treguar.
“COD është një hapësirë që i vihet në dispozicion kujto që ka diçka të re për të treguar, diçka të re për të ekspozuar, diskutuar dhe edhe diçka të re për të kritikuar qeverinë, po ashtu. Kjo është një hapësirë që ka lindur ndër të tjera edhe për të arkivuar dokumenta, për të arkivuar vepra dhe për t’u kthyer pak nga pak në një hapësirë ku jo vetëm dialogohet dhe ndiqen ngjarje të aktualitetit, por edhe ku mund të zhvillohen kërkime nga ana e studentëve, nga ana e pedagogëve, njerëzve të interesuar dhe ekspertë të ndryshëm,” u shpreh Rama.
Libri “Shqipëria e Re” ofron një histori të larmishme të 25 viteve të tranzicionit shqiptar nëpërmjet dëshmive të protagonistëve kryesore të jetës politike në vend, diplomatëve të huaj apo dokumentave të deklasifikuara nga arkivat amerikane.
Në veprën e tij, autori ofron një këndvështrim të brendshëm të ngjarjeve që shënjuan përgjithmonë historinë e Shqipërisë, nga protestat studentore të vitit 1991, tek revolta e vitit 1997, lufta në Kosovë e në vazhdim.
Ky është vëllimi i dytë i Abrahams, i cili trajton çështjet shqiptare, pas librit mbi krimet e luftës në Kosovë në vitin 2002. Së bashku me Abrahams, në panelin e diskutimeve ishte i pranishëm historiani dhe pedagogu Arben Puto dhe gazetarja Monika Shoshori-Stafa.
http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=192585#sthash.NJuEEkfX.dpuf