Botime Dudaj

 

Shqetësimi intelektual i letërsisë

Promovimi i romanit Vrasje në kryeministri i Diana Çulit me 16  mars ishte ngjarje kulturore për Prishtinën dhe për ne ishte kënaqësi e veçantë të jemi të pranishëm në një bisedë frymëzuese me autoren, e cila në fjalën e saj preku çështje me rëndësi për kulturën dhe veçanërisht për letërsinë shqipe, çështje të komunikimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë në këto fusha e të tjera.

Dëshiroj të veçoj me këtë rast se romanin Vrasje në kryeministri e lexova duke ndjerë kënaqësi të rrallë: është një vepër që rrëfimin e sjell të lehtë, të pastërt, natyrshëm, pa sforcime të pambështetura e me gjetje kreative. Është rrëfim i një autoreje të talentuar, me formim kulturor të rrallë, njohëse dhe përkthyese e veprave dhe autorëve nga letërsi të mëdha.

Me këtë rast duhet të veçoj dicka që më ndodh rrallë gjatë leximit të një vepre letrare. Përkatësisht rrallë më ka ndodhur që gjatë leximit të tekstit letrar të ndërhyjnë te njëra- tjetra rrjedha e rrëfimit fiksional dhe rrjedha e ngjarjeve nga përditshmëria siç më ndodhi gjatë ditëve të fillimit të marsit duke lexuar romanin e rradhës të Diana Çulit . Dy rrjedhat, ajo e vrasjes në roman dhe “rrëfimi i flakëve dhe gazrave rrugëve të Tiranës” po i atyre ditëve ndërthureshin me njëra- tjetrën gjatë gjithë kohës. Rrjedha në roman që përmes hetuesisë kërkon zbardhjen e vrasjes së një figure të kupolës shtetërore tiranase pleksej në rrjedhën e zhvillimeve politike në Ballkan, e sidomos në hapsirën shqiptare e më gjërë. Sapo vija një rregull të përkohshëm duke i ndarë ngjarjet me bindje se nuk kanë të bëjnë njëra me tjetrën, tinëzisht dy rrëfimet përvidheshin dhe depërtonin te njëri- tjetri, plekseshin dhe bëheshin bashkë me ngulm.

Diana Çuli  me romanin e saj më të ri sjell një vepër vërtet të rëndësishme, jo të përditshme, të zhanrit triller me origjinë dhe frymë shqiptare, me një poetikë rrëfimtare që të mban mbërthyer. Pa insistim, pa ndërhyrje që t’i besosh pa argumente, vjen si një rrëfim me gjuhë e cila të grish përmes ndërthurjeve të befasishme psikologjike dhe sidomos përmes perspektivës femërore të ndërtimit të personazheve si Beti, përmes referencave bashkëkohore kulturore, e kështu me rradhë.

A e parandjen shkrimtarja Diana Çuli krimin e ndodhur me të vërtetë në kryeqytetin e Shqipërisë? Kështu kërshëria bashkë me shqetësimin insistojnë dhe kërkojnë ngjashmëri  meqenëse intuita, parandjenja e shkrimtarëve, është dëshmuar pa fund deri më sot, si rasti i freskët i i Houllebeqc-ut.  Kavafis-i madh në një poezi të vetën me titull  Të diturit e parandejnë atë që do të ndodhë, thotë:  “ dëgjimi i tyre në orë studimesh dikur trazohet, u vjen jehona e fshehtë e ngjarjeve që po afrojnë, dhe i kushtohen me devotshmëri. Ndërsa në udhë përjashta, popujt asgjë nuk  dëgjojnë.”

Në kulmin e leximit të romanit Vrasja në kryeministri, rrjedh krahas edhe rritja e tensionit politik. Figura të rëndësishme kombëtare, politike e ushtarake, alarmojnë për ndikime të jashtme në Ballkan, ndikime që nxisin destabilizim, konflikt. Ngjashëm, në aktualitetin tonë në Mal të Zi u zbuluan agjentë, agjentë u zbuluan edhe në Maqedoni. Zbuluesja shqiptare në rroman ndërkaq,  heton këmba- këmbës se nëntoka e Ballkanit vlon nga një lidhje terroriste anti- BE. Duke dëgjuar deklaratën e dy fqinjëve tanë për agjentët e zbuluar,  për një çast besova se hapësira shqiptare vërtet të jetë e pastër, e mbrojtur, apo në të kundërtën tejet e kontaminuar nga kjo nëntokë për t’u identifikuar si veçanti.

Romani i Dijana Çulit  Një Vrasje në kryeqytet është shkruar gjatë harkut kohor 2017-2018 dhe nuk janë mbushur ende as 2-3 muaj të plotë nga dalja e tij në dritë. Lirisht mund të thuhet se është rrëfim me një sfond aktual politik shqiptar dhe ballkanik, por edhe më gjerë. Shkrimtarja ka sjellë për lexuesin shqiptar një vepër të rëndësishme artistike dhe njëkohësisht është autore e ditur sic thotë Kavafis, dhe e mirëinformuar. E mbi të gjitha,  është shkrimtare edhe e shqetësuar, çfarë rrezaton nga teksti romanor. Si zë i kohës, do të duhej të dëgjohej, dhe në këto kushte lexuesi do të duhej të ketë vesh për këtë art dhe për këtë shqetësim.