Botime Dudaj

 

Libri që të trondit themelet e asaj që mendoje se e kishe ditur…

Nga Arlinda Dudaj

Javier Marias, i njohur në Shqipëri me librin “Nesër në betejë mendo për mua”, vjen sërish në shqip me librin më përfaqësues të tij “Një zemër kaq e bardhë”. Një lexim i bukur, një rrugëtim në skutat me të thella të nënvetëdijes njerëzore. Në fakt libri nis me një tragjedi, që megjithëse e tillë, nuk është baza e romanit, por grepi që të tërheq më pas në një udhëtim sa filozofik aq edhe real në botën e njeriut të zakonshëm, në atë që ndjejmë përditë e nuk e themi ose mbase nuk dimë si ta themi. E s’ka si të ndodhë ndryshe me një shkrimtar të kalibrit të Marias, i biri i filozofit të famshëm madrilen Julian Marias, nga i cili duket të ketë jo pak ndikim, ndihet ai filozofimi elegant, i kujdesshëm në çdo fjalë e frazë, në çdo pasazh të rrëfimit.

Një vajzë e re, e bukur, e dashur, e çlirët dhe e lumtur (në dukje), sapo është kthyer nga muaji i mjaltit të një martese me dashuri të madhe, largohet nga tryeza ku po ha drekë me të sajtë, merr pistoletën e të atit dhe ia fut vetes.

Tronditëse kjo nisje, po pikërisht këtu merr hovin një diskutim i thellë mbi te vërtetën dhe atë që ajo shpeshherë shkakton. Të dëgjosh duket e rrezikshme, janë thuajse tri fjalë që zbërthejnë një histori dashurie të pabesueshme! Sepse të dëgjosh do të thotë të dish dhe të dish prodhon një seri të fortë emocionesh tek ai që dëgjon, që mëson, që di, por që dashuron.

Pasoja është e bukur, por edhe e tmerrshme.

Gjithnjë nëse rrëfehet! Nëse, sepse dashuria pranon dhe heshtjen, si kompromis për të fituar atë që s’e ke, por atë që do. Marias edhe një herë tjetër e bën këtë si pakkush, jo duke rreshtuar personazhe, por duke ndërtuar psikologjikisht karaktere, zbërthyerata duke i vendosur në ngjarje.

Burra e gra, prindër, baba e nëna, bij, djem e vajza, të cilët, në kohë të ndryshme bëjnë, jetojnë, humbin, vrasin, por edhe rrëfejnë dashurinë e jetuar sipas tyre.

E shkruar nga Marias nuk është një kronikë e zakonshme si kudo, por një rrëfim i fortë psikologjik, personal por edhe social, nga Kuba në Spanjë-Madrid, New York apo kudo ku karakteri është i njëjtë kur është burrë, por i ndryshëm kur është grua, kufizuar deri në tragjizëm nga rregullat e fesë dhe kohës. Bota ka ndryshuar, por dashuri ajo, as karakteret që dashurojnë.

Por ka një faqe aty që shpjegon se dashuria e sfidon emocionalisht martesën, gjërat e vogla për të fituar dashurinë, emocionojnë deri në ethe në përpjekjen për ta fituar atë dashuri. Tragjike bëhet kur emocionet janë aq të forta sa dëshira për të fituar një dashuri, vret, bën viktimë një të dashur që s’është më e tillë, por edhe atë që fiton e humb menjëherë kur ajo dëgjon.

Ky  është një roman mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi atë që nuk duhet thënë dhe atë që nuk dëshiron ta dish, i strukturuar mrekullisht tek të gjithë personazhet, me dyshimet e tyre dhe shkëmbimin e mundshëm, të cilët transmetojnë tek lexuesi një sens paqetie të thellë, një ndjesi realiteti jo komod, të vështirë për t’u shpjeguar e po aq i vështirë për t’u pranuar.

“Një zemër kaq e bardhë” është një citim nga “Makbethi”. Lady Makbeth, pasi mori vesh për vrasjen e mbretit Dunkan nga i shoqi, i drejtohet me këto fjalë: “Duart e mia janë si të tuat, por unë kam turp të kem një zemër kaq të bardhë”. Dhe një zemër të bardhë ka jo ai që është i pafajshëm, por ai që nuk është infektuar nga fjalët dhe fajet e të tjerëve. Në fakt një tjetër ndikim mbi Marias është edhe Shekspiri, veprat e të cilit ai i ka përkthyer në spanjisht, dhe fraza të caktuara i fut brenda në një bashkëkohësi të hatashme.

Siç shprehet një  shkrimtar i njohur duke e përmbledhur: “Zbulova (po vetëm pasi e përfundova të gjithin), se “Një zemër kaq e bardhë” fliste për sekretin dhe rehatinë e mundur, të joshjes e nxitjes, për martesën, përgjegjësinë e dikujt që ka mësuar diçka, mundësisë për të mësuar dhe pamundësisë për të injoruar, për dyshimin, për të folurën dhe heshtjen”.