KOLANA
Rruga “Miqësia”
Në mbrëmjet pa emër, televizioni kishte programe të mërzitshme dhe fëmijët flinin me pulat. Gratë vazhdonin të lanin rrobat që kishin mbetur pa larë ditën e diel, kur fëmijët dhe bashkëshortët kishin shkuar te Kopshti Zoologjik. Pjatat dhe përplasja e tyre e kujdesshme më tringëllijnë ende në veshë. Cigaret e tim eti dhe perdet që rënkonin nga nikotina. Bikutinat e sime ëme. Tenxherja me gjellën që pritej të ziente për të nesërmen e njëjtë. Babai lexonte, ajo rregullonte bikutinat. Unë dhe gjyshja bënim sikur flinim.