Video
Një dëshirë e madhe për të jetuar është libri më i fundit i Fabio Volos
Sheila Kavaja, një nga lexueset tona më të pasionuara, sjell përshtypjet e veta mbi librin “Një dëshirë e madhe për të jetuar”
“Një nga gabimet më të zakonshme është që të mendosh se, të provosh dashurinë, mjafton të takosh njeriun e duhur. Por, përkundrazi, aftësia për të dashuruar s’ka të bëjë fare me personin tjetër. Është diçka që e mban ti.”
Një mik i vjetër njëherë më pati thënë që, në kohët e sotme gjëja më e vështirë për t’u menaxhuar dhe mbajtur gjallë janë marrëdhëniet njerëzore. Jeta është me ritme shumë të shpejta, shumë hutime, gjendemi para shumë zgjedhjeve dhe çdo ditë e më shumë bëhet më e vështirë të bëjmë një pushim, të ndalemi, të marrim frymë, të arrijmë në një kompromis me veten dhe të vlerësojmë atë që kemi. Nuk është gjithmonë e nevojshme të kesh një destinacion. Le t’i themi vetes që është në rregull edhe të jesh i përhumbur herë pas here.
Në këtë roman shumë intim, Fabio Volo flet për krizën e një çifti, Marko dhe Ana. Ata kanë shtatë vjet bashkë, një fëmijë dhe bëjnë të njëjtin profesion. Papritur një natë në shtrat, në errësirë, i thonë njëri-tjetrit që nuk janë më të sigurt për ndjenjat e tyre.
“Thonë se një nga sekretet për një marrëdhënie jetëgjatë, është ta shikosh çdo ditë njeriun që do si të ishte hera e parë. Nuk më dukej një gjë dhe aq e lehtë, të paktën për mua nuk ishte e tillë”.
E them me bindje se të gjithë do ta gjeni veten, në mos në disa, të paktën në një pjesë të romanit. Narratori është vetë Markoja, i cili duke përshkruar me shumë sinqeritet ndjenjat e tij, shpesh kalon në kujtime nga e kaluara duke na bërë kështu të afrohemi edhe më shumë me këtë çift dhe të përjetojmë nga shumë afër krizën e ndjenjave të tyre. Nuk është vetëm pasiguria dhe dyshimet në vetvete si bashkëshort; përshkruhen dhe shtrohen dhe pyetjet e vërejtjet që njeriu i bën vetes si prind, si bir, si profesionist.
“Kur isha i vogël, çdo mëngjes, gjyshi im bënte një vrimë të vogël në një vezë dhe pastaj e pinte. Në fund më jepte lëvozhgën e zbrazët. Të njëjtën gjë bëri dhe Ana me mua: më zbrazi dhe mbeti vetëm lëvozhga. Ishte absurde, kishte qenë pikërisht ajo që e kishte krijuar njeriun që isha, por tani ai njeri nuk i pëlqente më”.
Vendosin të bëjnë një udhëtim, ndoshta të fundit si familje, me shpresën se mbase aty do të arrijnë të kuptojnë gjëra, të kapërcejnë vështirësitë. Takohen me shumë njerëz, e Markoja mundohet të reflektojë për jetën e tij duke u përpjekur të kapë copëza nga përvojat e këtyre të huajve. Secili nga udhëtarët që takojnë, e bën të reflektojë mbi historinë e tij, zgjedhjet, kohën që nuk kthehet më.
“Të nesërmen në mëngjes u zgjova para të gjithëve, ndërsa prisja një mollë mendoja se brenda një marrëdhënieje njeriu mëson më shumë të gënjejë, sesa të thotë atë që ndien vërtet”.
Por çfarë u mungon atyre? Ku gabuan? Në cilën pikë ndodhi plasaritja? A mund të shmangej? Çfarë duan ata dy në të vërtetë? Është Ana ajo që godet me fjalinë e duhur; të dy kanë një dëshirë të madhe për të jetuar.
Sa shumë dyshime dhe frikëra të përfshijnë kur e ndien se një marrëdhënieje po i vjen fundi. Je në një luftë të brendshme, të kaplon një trishtim që nuk e mendoje ndonjëherë. Voloja ka përshkruar me një sinqeritet prekës dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mendimet më intime të individit, krizën e moshës së mesme. Teksa lexon qan dhe qesh me narratorin, emocionohesh, vihesh në këpucët e tij. Kupton që nuk është e thënë që për të mbajtur gjallë një marrëdhënie duhet të kesh gjithnjë një plan për të përmbushur, të kesh diçka që mezi e pret të vijë. Ne rritemi, mbase rritemi duke u larguar shpesh; por sekreti është të gjesh atë pikën ku ndalesh, vlerëson dhe gjen mirënjohjen.