Komploti kundër lirisë

Autor:Andrea Stefani ISBN: 978-99943-0-334-2 Kolana: , Gjinia: Nr. faqe: 576Viti i botimit: 2013 Çmimi: 1200 Lekë

Në ekuacionin e shoqërisë civile dhe opinionit publik publicistika cilësore dhe vizionare ka një përparësi të patjetërsueshme, për arsye të kriticizmit iluminues, mbi klientelizmin e partisë dhe mediave. Andrea Stefani është një profil i spikatur i kësaj publicistike, që është një vegël kirurgjikale shoqërore. Një publicistikë të tillë e kanë krahasuar me shtizën mitike të Akilit me funksion të dyfishtë: Edhe plagos, edhe shëron. Libri i Andrea Stefani “Komploti Kundër Lirisë” është tashmë një strukturë konceptuale për periudhën e tranzicionit post komunist të politikës shqiptare. Ky është një kontribut real dhe i vërtetë. – Moikom Zeqo

Janë të shumtë autorët shqiptarë që kanë shkruar mbi politikën gjatë viteve të fundit, por të shumtit, në mos të gjithë, kanë rendur pas kronikës së politikës së ditës, ose thënë me fjalë të tjera, kanë bërë vëzhgimin analitik të kësaj të fundit. Andrea Stefani rreket të shkojë përtej kësaj tradite në librin e tij me titull ‘Komploti kundër lirisë’. Nuk është se nuk i intereson kronika e politikës së ditës (përkundrazi, nuk e heq për as një çast shikimin nga kjo kronikë), por duket se ajo i intereson si lëndë e parë, të cilën e përpunon për të nxjerrë një produkt të ndryshëm nga ai i komentatorëve e i publicistëve, mes të cilëve është dhe ai vetë. Duhet thënë pra se këtë libër e ka shkruar studiuesi i politikës, e jo komentatori i shtypit Andrea Stefani. – Mustafa Nano

Ribotimi i librit të Andrea Stefanit «Komploti kundër lirisë» është një shenjë e qartë e suksesit që pati botimi i parë i tij. Është monografia e parë e një studimi të hollësishëm për periudhën e vështirë të tranzicionit shqiptar, në të cilën liria u rrezikua dhe është ende në rrezik si rrallë ndonjëherë. Me ndershmërinë intelektuale të papërsëritshme, me stilin e qartë, kulturën e gjerë dhe informacionin e bollshëm, Andrea Stefani ngulmon përsëri me këtë libër se një popull është i pashpresë në qoftë se ai nuk respekton lirinë e tij. Në konceptin e Stefanit liria është ndarje pushtetesh dhe ushtrim i pushtetit të votuesit. Andrea Stefani është ndër të rrallët gazetarë shqiptarë që nuk ka bërë kurrë kompromis me lirinë. Ai, si rrallëkush, ka bërë devizë të kredos së tij dhe të punës së tij si gazetar aktiv, adhurimin për lirinë. Ky libër e përmbush më së miri këtë frymëzim. – Ilir Yzeiri