E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë

Autor:Kristo Frashëri ISBN: 978-99943-0-144-7 Kolana: , Gjinia: , Nr. faqe: 112Viti i botimit: 2010 Çmimi: 500 Lekë

Ky punim ka karakterin e një debati historik shkencor. Fillin e ka marrë nga formulimet historike që përmban Enciklopedia e Maqedonisë, botuar nga Akademia e Shkencave të Shkupit më 2009, në zërin shqiptarët e Maqedonisë. Në këtë enciklopedi ka formulime të pasakta për historinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Aty shqiptarët trajtohen si turma malësorësh të ardhur nga malësitë e Shqipërisë së Veriut dhe të vendosur në viset e sotme të Maqedonisë gjatë shekujve të sundimit osman. Historiani Kristo Frashëri u përgjigjet shtrembërimeve që përmban enciklopedia me argumente dhe dokumentime historike. Argumentet që ai sjell tregojnë se shqiptarët që tani banojnë në viset veriore dhe verilindore të Republikës së Maqedonisë kanë banuar në këto vise që në agimin e historisë. Ata janë banorë ilirë të trevës dardane, e cila në Antikitet kishte për kryeqendër Shkupin. Sipas historianit Kristo Frashëri, shqiptarët vazhduan të banonin në këto vise gjatë Mesjetës së hershme. Sipas tij, fiset sllave që u dyndën në shekullin VII të erës sonë u vendosën vetëm në viset e Maqedonisë antike, por jo në Dardaninë historike. Ai sjell dëshmi se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në viset dardane ku banojnë sot edhe gjatë shekujve të Mesjetës qendrore. Shtegtimet e shqiptarëve në viset sllavo-maqedone kanë qenë sporadike, ashtu siç kanë qenë sporadike edhe shtegtimet e banorëve sllavë në viset e sotme shqiptare. Tezat e akademikëve maqedonë mbi kolonizimin masiv shqiptar në Maqedoni gjatë sundimit osman janë, sipas Kristo Frashërit, hamendësime pa bazë dokumentare. Autori parashtron pikëpamjen e vet se shqiptarët e Maqedonisë, të cilët përbëjnë rreth 30% të banorëve të republikës janë jo emigrantë, por banorë autoktonë të saj. Si të tillë, ata kanë të drejtën e shtetësisë në Republikën e Maqedonisë njëlloj si banorët sllavo-maqedonë të saj.