Botime Dudaj

 

Ku janë njerëzit e mirë kur ndodhin gjëra të këqija?

Pasi shpërtheu pandemia, shpesh dëgjoj se krizat më të këqija nxjerrin në pah anën tonë më të mirë. Ky është një shembull tjetër i një optimizmi të pabazuar. Së paku, ky është konkluzioni që nxorra nga kriza e vitit 2008. Në fakt, duke menduar për këtë të fundit, vazhdon të më kujtohet fraza e George Orwell: “Ku janë njerëzit e mirë kur ndodhin gjëra të këqija?”.

 

Nga Javier Cercas/ I përkas brezit të parë të europianëve që nuk kanë përjetuar një luftë, të paktën një luftë mes superfuqive, sepse nuk harroj luftën e ish-Jugosllavisë. Ky fakt surprizues mund të ketë rrënjosur brenda nesh bindjen e thellë se sapo të ishim liruar nga disa zinxhirë të së shkuarës – në Spanjë për shembull nga terrorizmi i ETA-s – do të kishim jetuar të mbrojtur nga katastrofat që të parët tanë kanë përjetuar.

Por gjithsesi ishte një optimizëm i pabazuar, që nisi të krisej më 11 shtator 2001 kur islamizmi radikal papritur vizitoi Nju Jorkun, dhe ky optimizëm u bë edhe më i brishtë me krizën e vitit 2008, po aq e papritur. Ajo që askush nuk mund të priste, është se një fatkeqësi biblike që po na mbyll të gjithëve në shtëpitë tona për një kohë të pacaktuar do të përfundonte duke e rrënuar përfundimisht këtë optimizëm. Një gjë është e qartë: i vetmi tipar i parashikueshëm i historisë është paparashikueshmëria.

Ivan Krastev thotë se kriza e koronavirusit do të forcojë pozitat e nacionalizmit në Europë. Nuk duket një parashikim i nxituar. Krizat e dy shekujve të fundit e kanë pasur këtë efekt: ajo e vitit 1929 dhe padyshim ajo e vitit 2008, e vetmja e shekullit tonë e krahasueshme me përmasat e asaj paraardhëse.

Arsyeja e fenomenit është e qartë. Një krizë e thellë krijon frikë dhe nacionalizmi e paraqet veten si antidot ideal kundër frikës kur ofron përballë pasigurisë, strehimin e një komuniteti të ndërlidhur  nga lidhjet e gjakut. Problemi është se kjo strehë, përveç se është joracionale dhe një iluzion, nuk na mbron nga asgjë apo na mbron shumë më keq sesa strehimi racional i të qenurit qytetarë, i cili është i ndërtuar mbi përgjegjësitë e ligjit. Kjo është dëshmi e qartë e faktit se në Europë çdo forcim i nacionalizmit ka shkaktuar konflikte edhe më të këqija se ato që e gjeneruan atë.

Ndodhi me krizën e vitit 1929 që shpërtheu në Luftën e Dytë Botërore. Nuk ndodhi plotësisht pas krizës së vitit 2008, sepse megjithëse Bashkimi Europian nuk është ai që shumë prej nesh do të donte të ishte – një shtet federal – e ka ngadalësuar rilindjen e nacionalizmit, pikërisht prej parimeve mbi të cilat u themelua. A do të jetë në gjendje të vazhdojë ta bëjë?

Nëse kriza e koronavirusit do të marrë përmasa ekonomike të ngjashme me atë të vitit 2008, siç druhet Christine Lagarde, Presidente e Bankës Qendrore Europinane, a do të jetë në gjendje BE t’i mbijetojë dy krizave të përmasave të tilla, duke marrë parasysh se e para për pak sa nuk shkaktoi shpërbërjen e euros?

Kjo është, sipas meje, pyetje një milion dollarëshe, sepse për një gjë mund të jemi të qartë: problemet e mëdha sot janë ndërkombëtare, siç na mëson dhe kriza aktuale, ndërsa për t’i zgjidhur duhet të përdorim mjetet kombëtare. Kjo është pak a shumë si të tentosh të hapësh një kasafortë duke i rënë me kokë.

Për t’i përkeqësuar gjërat, është edhe përdorimi depresiv që politikanët i bëjnë atyre pak instrumenteve ndërkombëtare që janë në dispozicion dhe kjo dëshmohet edhe një herë nga reagimi i ngadaltë, hezitues, i pakënaqshëm dhe i ndrojtur i BE-së ndaj pandemisë.

Për më tepër, pasi shpërtheu pandemia, shpesh dëgjoj se krizat më të këqija nxjerrin në pah anën tonë më të mirë. Ky është një demonstrim tjetër i një optimizmi të pabazuar. Së paku, ky është konkluzioni që nxorra nga kriza e vitit 2008, dhe veçanërisht nga kriza Katalanase. Në fakt, duke menduar për këtë të fundit, vazhdon të më kujtohet fraza e George Orwell: “Ku janë njerëzit e mirë kur ndodhin gjëra të këqija?”.

Është sigurisht një pyetje retorike: Orwell, i cili kishte luftuar në luftë, e dinte se kur ndodhin gjëra të këqija, njerëzit e mirë mbeten, me shumë pak përjashtime, të fshehura ose të heshtur. Kjo e fundit nuk është një deklaratë optimiste, por megjithatë shpresoj që për një herë të vetme, të vërtetojmë se është e rreme.

Walter Benjamin shkroi se lumturia konsiston në të jetuarit pa frikë. Në këto ditë, që nga shpërthimi i pandemisë, të jetosh në Europë pa frikë nuk është e mundur (të paktën pa frikë për jetën e shumë njerëzve). Dhe nuk duhet ta bëjë këtë: guximi nuk konsiston në mungesën e frikës – kjo është një hile – por në kontrollin e saj, në bërjen e gjësë së duhur dhe në ecjen përpara. Tani për tani bëhet fjalë për këtë.

*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i 12 romaneve, në shqip është përkthyer “Mashtruesi”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.