Sende që nxirrte deti

Autor:Ardian Vehbiu ISBN: 978-99943-0-337-3 Kolana: Gjinia: Nr. faqe: 336Viti i botimit: 2013 Çmimi: 1000 Lekë

E lamë shkollën atë ditë, dhe u kuturisëm me tren në Shkozet. Lajmi kish qenë i saktë: e gjithë vija e plazhit, nga porti deri poshtë tek Iliria, ishte e mbushur me kartonët që kishte nxjerrë deti: cigare Winston, Camel, Kent, More, Chesterfield (pa filtër), Muratti Ambassador dhe të tjera që nuk më kujtohen – me mijëra, mijëra, mijëra paketa të bukura; shpërhapur në rërë si leshterikë prej përralle a bizhuteri të sirenave. Për fat të keq, të tjerë kishin punuar natën dhe kishin marrë gjithë ç’mund të shpëtohej; cigaret që gjetëm ne ishin të gjitha të dëmtuara nga uji dhe kripa e Adriatikut, gjysmë të shkërmoqura, të papërdorshme, pa çka se ambalazhet shumëngjyrëshe ishin ruajtur. E kaluam gjithë paraditen duke qëmtuar kutitë, me zemër të plasur, sepse i kishim bërë mushkëritë gati për aromat “amerikane” që në tren. Asgjë nuk mund të rikuperohej më, gjithçka kish vajtur dëm.