Qelia e lirisë

Qelia e lirisë

Autor: Kaon Serjani

Gjinia: Roman

Viti i botimit: 2016

Nr. faqe: 228

ISBN: 978-99943-0-465-3

Çmimi: 600Lekë

Bli Online

 

“Si mund të jetë rrjedha e jetës dhe bota e brendshme e një vajze 20-vjeçare teksa përballet me një vdekje të papritur, një dashuri të pamundur dhe një betejë për të fituar lirinë?

E rritur në Tiranë në një familje intelektuale nga Kosova, larg ankthit dhe kujtimeve të luftës, me një shpirt të lirë, Shqipja gjen pak rrënjë që e mbajnë lidhur me të shkuarën. Megjithatë, kjo e shkuar ndikon fort në vendimin për të gëzuar e lirë dashurinë ndaj Ibresit dhe të marrë vetë në dorë fatin e saj. A do të zgjedhë ajo që për hir të pasionit të këpusë lidhjet me tragjedinë familjare, thirrjen e gjakut dhe identitetin e saj?

Mos kjo ishte shenja që shoqërimi i tyre kishte qenë një marrëzi dhe ky ballafaqim ishte fundi?! Mos kjo e vërtetë e dhimbshme ishte varri i shpresës së përbashkët?! A mos janë disa dashuri të pamundura për shkak të kombësisë së atyre që pëlqehen? A është e tashmja e pafuqishme ndaj së shkuarës? A është e kaluara padroni i së ardhmes? A mund të jetë historia kundër dashurisë? Të dy u ndien sikur e vërteta rreth identitetit të tyre u kishte rënë me shuplakë në fytyrë dhe i kishte zgjuar nga e njëjta ëndërr e bukur që po shikonin të dy.

[Pjesë nga libri]

Kaon Serjani lindi në Iliras të Tepelenës në vitin 1984. Shkollën e mesme e kreu pjesërisht në vendlindje dhe në Gjirokastër, faktor ky që luajti një rol kyç në formimin e tij kulturor dhe shpirtëror. Në vitin 2007 u diplomua në degën e gazetarisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë. Në po këtë vit iu bashkua organizatës ndërkombëtare Instituti “Jeta e Re”, duke iu kushtuar kryesisht lëvizjes së të rinjve.

Komunikimi ndërpersonal i vazhdueshëm me të rinj të botëkuptimeve të ndryshme e ka ndihmuar atë të njohë sfidat dhe pyetjet qenësore të kësaj grupmoshe, përvojë të cilën autori e ka shprehur në faqet e këtij libri përmes depërtimit në ndërgjegjet e personazheve të tij.

“Qelia e Lirisë” është libri i tij i parë.