Mbi historinë e Ballit Kombëtar

Autor:Kristo Frashëri ISBN: 978-99943-0-307-6 Kolana: , Gjinia: , Nr. faqe: 156Viti i botimit: 2013 Çmimi: 600 Lekë

Qëndrimet që mbajtën qeveritë dhe partitë e vendeve të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore u gjykuan në Konferencën e Paqes, e cila u mblodh fill pas Luftës, më 1946. Qeveritë që ishin rreshtuar përkrah Koalicionit të Madh Antifashist anglo-sovjeto-amerikan u thirrën si aleatë në Konferencën e Paqes. Përkundrazi, qeveritë që u rreshtuan përkrah bllokut hitlerian u thirrën në Konferencën e Paqes për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre armiqësore. Ndryshe nga qeveritë e Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Finlandës – qeveria kuislinge e Tiranës shpëtoi pa dhënë llogari në Konferencën e Paqes falë pjesëmarrjes së Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në Luftën e Dytë Botërore përkrah Koalicionit të Madh Antifashist. Dëshmi është fakti se në Konferencën e Paqes, në bankën e fitimtarëve u thirr qeveria shqiptare e kryesuar nga komunisti Enver Hoxha. Përkundrazi, as qeveria kuislinge e Tiranës, as ish mbreti Zog, i cili pretendonte se përfaqësonte Legalitetin e përmbysur nga okupatorët fashistë, as Mithat Frashëri, kryetari i Ballit Kombëtar, të cilin ballistët e trumbetonin si flamurtarin e madh të pavarësisë dhe të demokracisë shqiptare – nuk u ftuan qoftë edhe si dëshmitarë në Konferencën e Paqes. Kjo për arsye se me qëndrimin e mbrapshtë që të tre këta faktorë politikë shqiptarë mbajtën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndihmuan jo parimet e Kampit të Madh Antifashist, por veprimet ushtarake të bllokut agresor hitlerian.