Ajlen

Ajlen

Autor: Esmeralda Petrela

Gjinia: Roman

Viti i botimit: 2018

Nr. faqe: 328

ISBN: 978-99943-0-547-6

Çmimi: 1200Lekë

Bli Online

Ishte fillimi i viteve njëzet, kur arkeologu anglez, i panjohur deri në atë çast, Jan Hiçens gjeti një ndërtim të vjetër në një zonë shumë të largët nga qyteti i shkretuar i Memfisit. Për habinë e tij, dikur egjiptianët e lashtë ndërtonin një tempull larg çdo vendi, çdo qyteti të gjetur deri në atë çast. Jani kishte ardhur si ndihmësi i arkeologut që kishte nisur ekspeditën dhe ishte rastësi fatlume për një njeri të dalluar veçanërisht si i shpërqendruar, që të kalonte i pari dhe me nxitim në drejtim të tempullit. Diçka i thoshte të ecte diku ndryshe prej atyre që kishte ndier një përbuzje të ndërsjellë. E ndiente se të gjithë e shikonin si një llafazan të bezdisshëm, një amator të cilit nuk i kishte takuar vërtet që të bëhej pjesë e këtij grupi kërkuesish. Ishte ditë e nxehtë korriku, por në ajrin e thatë të shkretëtirës trupi nuk i djersinte shumë.

Jani u fut i vetëm në tempull me vrap dhe u mahnit nga gjendja e ndërtesës dhe nga shkrimet e shumta në mur. Ato që e lanë pothuajse pa frymë amatorin fatlum ishin papiruset me shënimet autentike të ruajtura me kujdes për shekuj të tërë. Në mure përsëriteshin simbolet e planetëve, që nga Dielli e deri te Saturni, dhe ato të katër elementeve të natyrës. “Gjeta një thesar!”, bërtiti dhe shtrëngoi grushtin i gëzuar.

Dikur, tempulli kishte qenë përgjithësisht i bardhë dhe ndërkohë që shikonte i habitur muret, i ra përtokë një mollë e kuqe që mbante në xhepin e vogël të xhaketës.

Në përpjekje për të kapur mollën, e cila ra pak shkallë më poshtë në anën e majtë të tempullit, gjeti hyrjen e një dhome të nëndheshme. U fut në atë dhomë ku ajri ishte shumë i rëndë dhe gjeti tre trupa.