Shkruani termat e kërkimit më sipër e më pas shtypni ENTER, shtypni ESC për të mbyllur dritaren!

Shkrime


“Bolero”ose rrëfè për me jetue! – Nga Gilman Bakalli

Më tepër

Në fillim ishte vdekja. Për t’i shpëtuar idesë së saj shpikëm rrëfimin. Sepse historitë mund të na e shpëtojnë jetën…

Shehrezadja e përdor talentin e saj prej rrëfimtareje për ta penguar planin e Mbretit për të vrarë të gjitha gratë e mbretërisë së tij si hakmarrje ndaj tradhtisë së gruas së tij jobesnike. Ai kërkon të kalojë çdo natë me një virgjëreshë dhe ta vrasë atë në agim. Deri në momentin që kalon natën me Shehrezaden, e cila i tregon Mbretit një përrallë të magjishme, tensionuese. Kaq shumë e tërheq ai rrëfim Mbretin, sa ai vendos ta shtyjë çastin e vrasjes për ta marrë vesh se si përfundon përralla. Rrëfimi i Shehrezades vazhdon për njëmijë e një net, kohë e mjaftueshme kjo për ta bindur Mbretin të heqë dorë nga plani i tij për të vrarë të gjitha gratë e perandorisë dhe të martohet me Shehrezaden.

Ardian Vehbiu – mendja letrare e tij – kërkon t’i shpëtojë takimit të përditshëm me vdekjen që përjeton në metrònë e nëndheshme të Nju Jorkut. Me një vdekje e cila shfaqet në formën e pritjes, në formën e një skizofrenie, neuroze urbane, në formën e një tiranie komunikimi impersonal asimetrik, njëkalimsh. Kërkon t’i shpëtojë diktaturës së një bote, në të cilën nuk ndodh më asgjë, një bote, e cila siç pohon titulli i një kapitulli “gjithçka po ndalej”? Si mund t’i shpëtojmë tiranisë së Pritjes së Diçkaje që nuk ndodh? Duke rrëfyer në mënyra të ndryshme, duke nisur, siç shkruan dhe vetë, një “aventurë narrative”.

Imagjinoni një njeri të gjatë e të qetë, me sy të fiksuar tek kryetitujt e gazetës që mban në duar, mbështetur tek një kolonë çeliku, diku në një metrò njujorkeze dhe s’bën asgjë tjetër, por pret. Pret një tren, i cili me gjasë nuk do mbërrijë asnjëherë për shkak të një aksidenti në Brooklyn. Imagjinoni tani, sikur një motiv i tillë i pandryshueshëm që shprehet me një fjali pak a shumë të pandryshueshme të tipit: “Treni nuk po mbërrin. Shërbimi i trenave është ndërprerë përkohësisht për shkak të një aksidenti në Brooklyn” – të rrëfehet nga personazhe imagjinare të llojllojshme, në stile e regjistra të ndryshme gjuhësore, në forma reflektimesh filozofike, sociologjike, vetëreflektimesh brenda kapitujsh autonomë, atëherë keni arritur të imagjinoni romanin e fundit, por jo të fundit, të Ardian Vehbiut, “Bolero”. Mirëseerdhët në atë që ai vetë e quan jo “narrativë e një aventure” (kjo do të ishte romani klasik), por “aventurë e narrativës”. Aty ku gjithçka që ndodh, ndodh vetëm në rrafshin narrativ, aty ku gjithçka që ndryshon, ndryshon vetëm në rrafshin narrativ.

“Bolero” është roman i kohës pa kohë. Roman i iluzionit të kohës. Ti zhvendosesh nga njëri kapitull në tjetrin dhe të duket sikur po lëviz edhe temporalisht progresivisht, por në fakt ajo që ka ndryshuar është vetëm koha fizike, koha e leximit që na duhet për të kaluar nga një kapitull në tjetrin, por jo koha e rrëfyer. Ajo ka ngelur në vend. Kohë që nuk kalon.

“Bolero” është roman i lëvizjes pa lëvizje. Roman i iluzionit të lëvizjes. Kapitujt të krijojnë iluzionin e lëvizjes kaotike të turmave brenda metròsë së nëndheshme. Në fakt asgjë nuk lëviz realisht, sepse çdo kapitull materializon modusin e lëvizjes së njeriut modern, i cili ose zhvendoset me shpejtësi nga njëri vend në tjetrin pa lëvizur këmbët (makinë), ose modusin e lëvizjes së njeriut modern, i cili lëviz këmbët me shpejtësi mbi një platformë pa u zhvendosur as edhe një centimetër përpara (në palestër).

“Bolero” është një roman i pritjes. Unë nuk e di, nëse Ardiani – ndoshta i frymëzuar nga leximi i filozofisë joniane – ia ka bërë ndonjëherë vetes pyetjen –se nga cila substancë përbëhet universi: uji, toka, zjarri apo atomi. Nëse ia ka bërë vetes këtë pyetje, them se ia ka dhënë po vetë edhe përgjigjen me këtë roman: Esenca konstitutive e botës është pritja. Gjithçka tjetër është manifestim i saj në forma të larmishme. Gjithë këtë manifestim marramendës, të gjitha ngjarjet e botës frenetike të nëndheshme, mendja letrare i ndal dhe i shtrydh në fjalinë e thatë: “një njeri pret…”. Çfarë bën ky njeri? “Rri në këmbë, pret, mendon, kujtohet, ëndërron, dremit, flet me vete, merr frymë, vështron, dëgjon zhurmat që vijnë nga rruga, mban çantën në dorë, mban gazetën në dorë, djersin, lexon…”

“Bolero” është roman i asaj që është dhe i asaj që s’është. Aq sa ç’është roman i pritjes, “Bolero” është në të njëjtën kohë edhe një roman i iluzionit të pritjes. Ka një ide, sipas së cilës, qeniet njerëzore e fillojnë jetën duke i treguar njëra-tjetrës përralla dhe e mbyllin atë duke i treguar të vërteta. “Bolero” është një roman i gjendjes pezull, që vibron midis përrallës dhe realitetit, midis ëndrrës dhe zgjimit, midis pritjes dhe iluzionit të pritjes. Në një pasazh të romanit, akti i pritjes dekonstruktohet në një problem gjuhësor:“..të priturit është thjesht preteksti…unë pres thjesht ngaqë kjo gjuhë që flas ma lejon ta përdor “pres” si folje. Më gënjen me iluzionin se jam duke bërë përnjëmend diçka. Më shtyn të besoj se unë paskam vendosur tashmë të pres në platformë…”

“Bolero” është roman i realitetit iluzor, i fshirjes së kufijve midis realitetit real dhe atij mediatik. Kur realiteti real mbaron, kur “gjithçka po ndalej”, shfaqet realiteti televiziv e radiofonik: “Lëre televizorin ndezur, – tha vajza e madhe – l e të shohim këtë tipin që rri vetëm në platformën e stacionit të metrosë”. […] Nëna, që po dëgjonte programin e vet të preferuar në radio, ndërhyri që nga dhoma tjetër: “Ai miku juaj kot po pret në stacion, sapo lajmëruan në radio për një gjë që paska ndodhur në metro, në Brooklyn, i ka bllokuar gjithë trenat”. Ndërkohë që në disa kapituj të tjerë realiteti real paraqitet hera-herës si vegim, hera-herës si “fantazi e dyfishtë”, kur një personazh imagjinar përjeton në ëndërr realitetin ku ndodhet në realitet, pra i mbështetur pas një kolone çeliku duke pritur një tren që ndoshta nuk do të vijë kurrë, për shkak të një aksidenti a incidenti në Brooklyn.

“Bolero” është roman edhe i reflektimit të kthjelltë filozofik mbi brishtësinë e qenies njerëzore dhe raportin e saj me pushtetin e teknologjisë: “Transcendenca e induktuar e burimit të informacionit të bën të ndihesh i mbyllur në kafazin e hapësirës receptive, meqë një mesazh që del, le të themi, prej altoparlantëve, nuk lë vend për feedback. Në thelb, ky është i njëjtë me mekanizmin që është treguar kaq eficient në mass mediat: bëje publikun të besojë se nuk ka asnjë mundësi të ndërveprojë me burimin…” Ose: “Sapo hyjmë në stacion, biem nën mbikëqyrjen konstante të kamerave – syve elektronikë të Big Brother-it. Këto lodra nuk i kanë vënë aty për të “mbrojtur” njeri, por më tepër për të na bërë me dije se ka një entitet të epërm a hyjni, që na sheh gjithë kohës. Udhëtari i transportit publik, si individ unik, do të ndihet lakuriq dhe do të priret të kërkojë mbrojtje brenda turmës…” Është roman edhe i ironisë së hollë ndaj mekanizmave socialë që me një lehtësi të papërballueshme krijojnë mite dhe legjenda sociale. Te kapitulli “Pompimi i mitit” fabula merret,ironizohet dhe monumentalizohet deri në kufijtë e absurdit: “…ky tipi ynë pret. Treni vonohet, kanë lajmëruar ndërprerje të shërbimit, për shkak të diçkaje që ka ndodhur në Brooklyn; por ai nuk tundet nga vendi, nuk largohet nga platforma, kokëfortë në pasivitetin e vet…e ka prerë mendjen për të shkuar në uptown: dhe sa prozaike që tingëllon kjo! Mirëpo këtu qëndron edhe forca e imazhit, sepse absurditeti asnjëherë nuk mjafton: absurditeti duhet të jetë edhe banal, që të të kapë për fyti. […] vendosmëria e tij për të vendosur të presë, kundër të gjitha gjasave, kthehet në burim respekti…Në këtë pikë shumëkush rreshtohet në krah të heroit  tonë, duke ia kremtuar pritjen që ai ka ndërmarrë si simbol të habitshëm të vullnetit të lirë: studentët, hipsterët, artistët, komuniteti LGBT, ACLU-ja. Lëreni të presë, ky është slogani që dëgjohet nga të gjitha anët. Mos e prekni njeriun që pret.”

E kështu, kapitull pas kapitulli, fabulës së një romani si “Bolero”, ku nuk ndodh asgjë, i ndodhin shumë gjëra. Ajo kalon nëpër kudhrën e lloj-lloj modelesh e teknikash narrative, herë serioze e reflektuese, herë autoironike, herë tallëse, herë vetë shkatërruese. Shkurt fabulës i ndodh ajo që premtohet në hyrje: “e sulmojnë, e hedhin në kanal, e lidhin pas binarëve […] e ndajnë më dysh, e lënë të riprodhohet në kopje të këqija të vetes, e detyrojnë të përçudnohet […] si buburreci pas një katastrofe atomike”.

Në fillim ishte vdekja. Për t’i shpëtuar idesë së saj shpikëm historitë. Sepse historitë mund të na e shpëtojnë jetën…Por edhe historitë mund të vdesin një ditë. Vdekja në formën e një bote të nëndheshme, që shkon drejt entropisë së pashmangshme e ku nuk ndodh më asgjë tjetër, përveçse pritjes së një treni që mund të mos vijë kurrë për shkak të një aksidenti apo incidenti diku. E në këtë rast aventura narrative “Bolero” mund të lexohet edhe si ngushëllim, i cili na kujton se edhe në një botë të tillë pa ngjarje mund të mbijetojmë duke rrëfyer… edhe vetë rrëfimin!