Autori amerikan Fred Abrahams prezanton në Tiranë librin “Shqipëria e Re”


abrahams

U prezantua mbrëmjen e së premtes në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Informim, (COD), libri i autorit Fred Abrahams, “Shqipëria e Re”, çka i dha jetë një debati dinamik rreth çështjeve kyçe të tranzicionit 25-vjeçar në Shqipëri.
Sipas ATSH, i pranishëm në takimin e zhvilluar në COD, me temë “25 vjet: Dokumenta, memorie dhe tranzicion shqiptar”, autori Abrahams dëshmoi se vepra ofron një perspektivë tërësisht të ndryshme, nëpërmjet dokumentave dhe intervistave të papublikuara më parë. “Për realizimin e këtij libri kam marrë afërsisht 300 dokumenta nga arkivat e SHBA-së si dhe dokumente nga Departamenti i Shtetit, për marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë”, deklaroi autori Abrahams.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Rama theksoi se “COD është një hapësirë që i vihet në dispozicion kujtdo që ka diçka të re për të treguar, diçka të re për të ekspozuar, diskutuar por edhe diçka të re për të kritikuar qeverinë, po ashtu. Kjo është një hapësirë që ka lindur ndër të tjera edhe për të arkivuar dokumenta, për të arkivuar vepra dhe për t’u kthyer pak nga pak në një hapësirë ku jo vetëm dialogohet dhe ndiqen ngjarje të aktualitetit, por edhe ku mund të zhvillohen kërkime nga ana e studentëve, nga ana e pedagogëve, njerëzve të interesuar dhe ekspertë të ndryshëm”.
“Shqipëria e Re” ofron një histori të larmishme të 25 viteve të tranzicionit shqiptar nëpërmjet dëshmive të protagonistëve kryesore të jetës politike në vend, diplomatëve të huaj apo dokumentave të deklasifikuara nga arkivat amerikane.